Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka kërkuar nga partitë politike të nisin të flasin me emra konkret për kandidatin konsensual për president. Pas takimit me liderë të partive politike që iu përgjigjën pozitivisht asaj, Haxhiu ka shprehur keqardhje që partitë e ish-opozitës, PDK, LDK dhe Aleanca, refuzuan takimin.

Ajo tha se në takim, lideri i LVV-së, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se shumë shpejt do të zhvillojë një takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ajo i ftoi edhe dy partitë e tjera të ish-opozitës që përfaqësohen në Kuvend t’i bashkohen këtij takimi dhe të gjejnë një emër unifikues për presidentin.


“Ju e dini se kemi një qëndrim të LDK-së për një president konsensual. Le të fillojmë të flasim me emra të përveçëm për një kandidat konsensual. Për një kandidat që nuk është në ndonjërën prej partive politike. Kryetari i LVV-së e përmendi që nuk duan që presidenti të jetë nga radhët e LVV-së. Ka pasur diskutime në opinion se LVV-ja po insiston që presidenti të jetë nga ana e tyre. LVV-ja, që përfaqësohet në Kuvend me 53 deputetë, thekson se janë për një president konsensual. Uroj që takimet me partitë të vazhdojnë. Ato do të ndodhin shumë shpejt dhe, sipas njoftimit që kryetari i LVV-së na tha, se me LDK-në do të ketë një takim shumë shpejt. Iu përket atyre se kur do të ndodhë ky takim, por uroj që këtyre takimeve t’iu bashkohen edhe partitë e tjera politike dhe jo të refuzojnë. Refuzimi i takimeve nuk çon te një marrëveshje, duke pasur parasysh se për presidentin duhet t’i kemi dy të tretat për të vazhduar me procedurat”, theksoi Haxhiu.

Ajo tha se Kurti i ka njoftuar edhe partitë e komuniteteve joserbe që janë votat për konstituim të Kuvendit dhe formim të qeverisë. Mirëpo, sipas saj, pa marrëveshje politike për presidentin, vendi rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje të reja.

Duke komentuar kërkesën e partive të ish-opozitës që fillimisht të konstituohet Kuvendi, të formohet qeveria dhe pastaj të diskutohet për presidentin, Haxhiu tha se LVV po vepron siç kishin kërkuar dikur këto parti, që fillimisht të ketë marrëveshje politike dhe pastaj formim të institucioneve. Haxhiu u pyet edhe për paralajmërimet e ish-partive të opozitës se do të ketë protesta në muajin shtator. Ajo e ndërlidhi këtë me verdiktin final të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së. Krahas kësaj, Haxhiu foli edhe për përbërjen e re të KQZ-së, e cila konfirmoi se ka marrë propozimet e partive politike dhe shumë shpejt do të veprojë në këtë drejtim.