Opozita LSDM pretendon se përmes prokurimeve publike po krijohet një rreth i mbyllur kompanish që fitojnë kontrata milionëshe nga institucionet dhe komunat nën kontrollin e pushtetit. Sipas partisë, kompani si “Lendi Group”, “Pyramid Building Solutions” dhe “Masev” marrin vazhdimisht projekte ndërtimi, ndërsa për mbikëqyrje dhe projektim përsëriten dy firma të njëjta.

“Këto kompani të preferuara për tenderë të qeverisë kanë vetëm dy kompani po ashtu të preferuara me projektues dhe mbikëqyrje të përbashkët. Në dhjetëra komuna dhe institucione në të gjithë vendin përsëritet i njëjti model: të njëjtët ndërtues fitojnë tenderë milionësh, ndërsa mbi ta punojnë vetëm dy kompani – MG Project dhe MBM Architects”, tha Jon Fërçkovski nga LSDM.

Nga LSDM thotë se ky model përsëritet në disa komuna dhe institucione në vend, duke krijuar një skemë biznesi për përfitim nga mjetet publike. VMRO-DPMNE reagoi ndaj këtyre deklaratave, duke vlerësuar se kompanitë që ai i përmendi kanë fituar rregullisht tenderë nga ministra, drejtorë dhe kryetarë komunash të LSDM-së. Në reagim thuhet se Fërçkoski po paraqet si zbulim të dhëna që, sipas tyre, janë publike dhe të qasshme përmes sistemit elektronik të prokurimeve publike.

“Të gjitha kompanitë e përmendura janë kompani që punojnë prej kohësh, aplikojnë rregullisht në prokurimet publike dhe, në përputhje me ofertën më të favorshme, fitojnë tenderët. Se këtu nuk ka as skandal dhe as ndonjë zbulim nga AKT i LSDM-së, tregon edhe fakti që të njëjtat kompani, “MG Project DOOEL Shkup” dhe “MBM Architects DOOEL Shkup”, kanë marrë pjesë në prokurime publike dhe kanë fituar tenderë edhe gjatë periudhës së qeverisjes së LSDM-së”, potencojnë nga VMRO-DPMNE.

Nga VMRO-DPMNE i rekomandojnë LSDM-së dhe Jonit që të drejtohen te udhëheqja e tyre, konkretisht te kryetari Venko Filipçe, dhe të pyesin për burimet e parave për vilat luksoze në Vodno, si dhe për vizën e artë dhe banesën në Dubai.