Ylli shqiptar me famë botërore, Dua Lipa, ka mbërritur në Prishtinë për edicionin e shtatë të Sunny Hill Festival, që nis sonte dhe do të zgjasë deri më 2 gusht.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, këngëtarja ndau emocionet për rikthimin në Kosovë, duke treguar se një natë më parë vizitoi hapësirën ku do të mbahet festivali, për t’u siguruar që gjithçka është gati për nisjen e spektaklit.
Dua u shpreh krenare për punën e palodhur të familjes së saj dhe të ekipit organizativ, të cilët prej muajsh janë angazhuar për të sjellë edhe një edicion të paharrueshëm të festivalit.
Por, përveç atmosferës së festivalit, artistja ndau edhe një lajm të veçantë nga jeta personale. Ajo zbuloi se së fundmi është bërë kumbarë, duke emocionuar ndjekësit me këtë moment të rëndësishëm.
Në fotografitë e publikuara, vëmendje të madhe mori edhe tryeza me gatime tradicionale shqiptare. Pite, fli, speca të mbushur, ajvar dhe sallatë ishin pjesë e menusë, ndërsa Dua edhe një herë promovoi me krenari shijet e kuzhinës shqiptare.
“Shihemi sonte, Prishtinë”, shkroi Dua Lipa, duke rritur edhe më shumë entuziazmin e mijëra fansave që pritet të mbushin tri netët e Sunny Hill Festival.
