Me paraqitjen e provave materiale nga Prokuroria, sot në sallën e gjyqit në burgun e “Idrizovës” vazhdoi gjykimi për zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën.

Prokuroria fillimisht prezantoi prova të nxjerra nga analiza e komunikimeve telefonike të telefonave mobil të të akuzuarit kryesor, Dejan Jovanov, dhe djalit të tij, Mihajlo Jovanov.

U paraqitën mesazhe SMS dhe komunikime në Viber të Dejanit me kontaktet e ruajtura në telefonin e tij, si: Shefja Marija, Cece, Todor Jovanov, Vesna – Inspektore Private, Laze Zhti, Aco – Komandant, Magdalena – Licenca, Viki – Ekonomi, Blagica – Disko…

Nga dokumentacioni i paraqitur, Prokuroria lexoi se si Dejan Jovanov – Deko merrte informacione për kontrolle të mundshme policore në diskotekë, si komunikonte me punonjës, inspektorë, policë dhe me djalin e tij lidhur me mënyrën se si duhej të vepronin, por edhe se si i kujtohej se licenca e biznesit po i skadonte dhe duhej të kërkonte vazhdimin e saj.

Prokuroria prezantoi gjithashtu komunikime me punonjës të Ministrisë së Ekonomisë dhe të policisë, të cilët e informonin për kontrollet e paralajmëruara ndaj të miturve, për afatin e skadimit të licencës, si dhe komunikime ndërmjet Dejanit dhe djalit të tij Mihajlo, lidhur me funksionimin e subjekteve juridike ku ata ishin të angazhuar.

Më 16 mars 2025, Mihajlo Jovanov e njoftoi Dejanin përmes komunikimit se po zhvillohej një kontroll policor në lokalin “Bulevard”, nga policë të Radovishit që “nuk janë tanët”, dhe se ata do të shkonin edhe në diskotekë. Ai e paralajmëroi se në lokal kishte shumë të mitur dhe se duhej të zbrazej. Dejani iu përgjigj se, sido që të ishte, biznesi do të përfundonte në falimentim.

Prindërit e fëmijëve që humbën jetën në zjarrin e diskotekës “Pulse”, gjatë një deklarate në pushimin e seancës së sotme, thanë se komunikimet e prezantuara ndërmjet Dekos dhe Mihajlos, si dhe me disa zyrtarë policorë dhe institucionalë, hapin çështje serioze.

“Këto komunikime ngrenë dyshime nëse ka ekzistuar mbrojtje institucionale dhe ndikim mbi kontrollet dhe procedurat. Po ashtu, komunikimet ndërmjet babait dhe djalit, Dekos dhe Mihajlos, ngrenë pyetje për rolin e Mihajlos në drejtimin dhe vendimmarrjen e biznesit”, deklaroi Aleksandar Naunov.

Naunov shtoi se opinioni publik dëgjoi për herë të parë edhe emrat e personave që kishin pasur kontakte të shumta dhe serioze me pronarët e “Pulse” dhe “Klasik”, por që nuk janë përfshirë në aktakuzën e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

“Ka zyrtarë policorë që kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me të akuzuarit Mihajlo dhe Deko, duke i njoftuar paraprakisht për kontrollet, si dhe një ish-polic tashmë në pension, i cili ka pasur rreth 400 komunikime me pronarin dhe djalin e tij. Kjo ngre pyetje nëse janë përfshirë të gjitha faktet dhe personat relevantë, si dhe nëse ka bazë për hetime shtesë. Publiku pret zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësisë për secilin person që do të provohet se ka qenë i përfshirë”, tha Naunov.

Pas paraqitjes së këtyre provave materiale nga Prokuroria, mbetet të prezantohet edhe ekspertiza e ndërtimit dhe deklarimet e ekspertëve.

Pas përfundimit të paraqitjes së provave nga Prokuroria, provat materiale dhe dëshmitarët e saj do t’i paraqesë edhe mbrojtja, e cila ka paralajmëruar se disponon edhe dy ekspertiza.

Gjykimin e udhëheq gjyqtarja Dijana Gruevska-Ilievska, ndërsa aktakuzën e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorësh publikë.

Në zjarrin që shpërtheu në diskotekën “Pulse” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën. Kjo konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit./Faktor