Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve ka kryer kontroll të jashtëzakonshëm në burgun e Shtipit, pas një incidenti në të cilin policët e burgut i kanë ndihmuar një të burgosur që të gjejë një top me drogë, që ishte hedhur në oborrin e burgut,. Drejtori i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov informoi se për rastin, tashmë është bërë kallëzim penal në Prokurori. TV21 ka siguruar pamje nga ngjarja, ku sipas njoftimit të sotëm të drejtorit, pas hedhjes së topit në oborr, është shfaqur i burgosuri me iniciale Zh.Zh duke folur në telefon, dhe një tjetër i burgosur me iniciale R.K., që po kërkonin diçka në oborr.

Sipas drejtorit Pandov, ditën e nesërme, pas ngjarjes, është gjetur topi, ku sipas tij kishte 35 gram materie të bardhë, që me shumë gjasa është kokainë dhe 50 gram marihuanë.

“Kur drejtori pyeti komandantin dhe policinë e burgut se çfarë kërkonin dhe pse nuk reaguan, shpjegimi në shënimin e tyre zyrtar është se i thanë se i burgosuri Zh.Zh po luante me qenin Ceca, kishte një orë të shtrenjtë që u tha se vlente së paku 1000 euro, për të cilën duhet të theksoj se nuk ishte paraqitur se ishte sjellë në burgun e Shtipit, ndërsa thanë se ia kishte marrë qeni Ceca, se i kishte humbur duke vrapuar me qenit, dhe se këta për t’i dalë në ndihmë, e kërkonin orën”, ka shpjeguar Pandov.

Pandov tha se ngjarja ka ndodhur më 20 shkurt në orën, 21:40, ndërsa në kamera qëndron data 17 shkurt, për çka Pandov tha se nuk është e sinkronizuar data e kamerës me kohën reale.