Një parcelë e fshehur në zonën e quajtur “Matnik”, në territorin e fshatit Sekirnik të Strumicës, ishte shndërruar në një plantacion ilegal kanabisi, përcjell TV21. Policia ka arrestuar dy persona, 34 dhe 30 vjeç, nga Komuna e Novo Sellës, të dyshuar se kishin mbjellë dhe kultivuar kanabis me qëllim prodhimin e marihuanës.

Sipas njoftimit të MPB-së, pas sigurimit të farave, të dyshuarit kishin përgatitur tokën dhe në maj të vitit 2026 kishin mbjellë bimët.
“Pas një marrëveshjeje të ndërsjellë, në një pjesë të fshehur të parcelës, në vendin e quajtur ‘Matnik’, në territorin e fshatit Sekirnik, të dyshuarit kishin përgatitur tokën, kishin mbjellë dhe kultivuar bimë kanabisi. Pas sigurimit të farave, ata kishin përpunuar tokën dhe kishin krijuar një ‘plantacion’ ilegal, ku në maj të vitit 2026 kishin mbjellë farat dhe kishin kultivuar bimët me qëllim prodhimin e marihuanës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë aksionit janë sekuestruar disa bimë kanabisi me lartësi të ndryshme, me peshë totale rreth 680 kilogramë. Dy të dyshuarit, Z.M. dhe A.T.G, janë ndaluar në Stacionin Policor në Strumicë, ndërsa pas kallëzimit penal janë dërguar para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Strumicës.
