Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se Teherani nuk synon të sigurojë një bombë atomike, por do të vazhdojë të mbrojë të drejtën e tij për pasurimin e uraniumit.

Deklarata e tij erdhi pak para nisjes së bisedimeve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, të zhvilluara këtë të diel në Zvicër.

“Kjo nuk është asgjë e re dhe ne mund ta deklarojmë edhe me shkrim se nuk kemi ndërmend të ndërtojmë bombën”, tha Pezeshkian, sipas presidencës iraniane.

Megjithatë, presidenti iranian theksoi se vendi i tij nuk do të heqë dorë nga e drejta për pasurimin e uraniumit.

“Ne nuk do të heqim dorë nga e drejta jonë për pasurim”, u shpreh ai.

Irani argumenton se kjo e drejtë garantohet nga Traktati i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore (NPT), ku Teherani është palë nënshkruese, për sa kohë aktivitetet bërthamore kryhen për qëllime civile./Euronews.al