Prokuroria e Shkupit ka dorëzuar kërkesë për fillimin e procedurës përgatitore ndaj katër të miturve, të dyshuar për përfshirje në veprën penale “dhunë”, sipas Kodit Penal.
Bëhet fjalë për një vajzë 17-vjeçare dhe tre vajza 14-vjeçare, të cilat në dy raste të ndara kanë marrë pjesë në akte dhune ndaj vajzës 13-vjeçare në lagjen Gjorçe Petrov.
Rasti po trajtohet sipas Ligjit për drejtësinë për fëmijët. Prokurori ka propozuar edhe masa kujdesi për të miturat, duke marrë parasysh rrethanat dhe seriozitetin e rastit.
Paralelisht, në Prokurori janë dorëzuar edhe gjashtë kallëzime penale kundër prindërve, për neglizhencë dhe keqtrajtim të fëmijës. Sipas kallëzimeve, moskujdesi i prindërve ka çuar në situatën ku fëmijët e tyre kanë kryer dhunë fizike ndaj 13-vjeçares.
Hetimet për të dy rastet janë duke vazhduar për të verifikuar të gjitha pretendimet dhe për të siguruar prova shtesë./TV21
