Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP-NKOK) ka nisur procedurë kundër një prokurori të lartë publik në Prokurorinë e Lartë Publike në Manastir, nën dyshimin se ka kryer veprën penale – marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, nga neni 359, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 2 të Kodit Penal.

Sipas Prokurorisë, përmes disa veprimeve dhe përdorimit të masave të posaçme hetimore, janë siguruar prova që krijojnë dyshimin e bazuar se ai ka shfrytëzuar ndikimin e tij real dhe pozitën zyrtare për të ndikuar në mënyrë të palejueshme në vendimmarrjen e kolegëve prokurorë publikë dhe gjyqtarëve në të paktën katër raste të veçanta, në territorin ku ka ushtruar funksionin.

Siç bëjnë të ditur nga PTHP-NKOK, ai ka ndërhyrë për dënime më të ulëta ose për të siguruar pozitë më të favorshme për persona të dyshuar apo të akuzuar në procedura penale.

Gjatë ditës së djeshme, me urdhër gjykate, janë kryer kontrolle në shtëpinë e të dyshuarit dhe në ambientet e Prokurorisë së Lartë Publike në Manastir, me qëllim sigurimin e provave shtesë.

Prokurori publik kompetent po vijon hetimin e rastit, ndërsa gjyqtarit të procedurës paraprake i ka dorëzuar propozim për caktimin e masave të kujdesit, përkatësisht konfiskimin e dokumentit të udhëtimit dhe ndalimin e kryerjes së aktiviteteve të caktuara të punës, gjegjësisht largimin e të dyshuarit nga vendi i punës.