Një statujë satirike e presidentit amerikan Donald Trump është vendosur në Parlamentin Evropian në Strasburg. Skulptura, e lartë 2.5 metra, është vepër e artistit danez Jens Galschiøt dhe paraqet Trumpin të zhveshur, duke mbajtur një shkop të gjatë golfi dhe të ulur mbi shpatullat e një burri shumë më të vogël, i cili mezi e mban peshën e tij.

Vepra, e veshur me ar 23-karatësh, mban titullin “Murtaja portokalli”, ndërsa njihet edhe si “Mbreti i padrejtësisë”.

Në tekstin shoqërues citohet “Mbreti”: “Do të bëja gjithçka për ta ndihmuar. Përveçse të zbrisja nga shpina e tij.”

Artisti shpjegoi se mesazhi është kritikë e drejtpërdrejtë ndaj pengimit, sipas tij, të luftës kundër ndryshimeve klimatike nga Trump, transmeton “Deutsche Welle” (DW).

Statuja është vendosur në korridorin që lidh dy ndërtesat e Parlamentit Evropian dhe do të qëndrojë e ekspozuar deri të enjten. Eurodeputeti danez Per Clausen, i cili organizoi ekspozitën, tha se nuk është i shqetësuar për reagimin e mundshëm të Trumpit.

“Nëse dikush është aq i ndjeshëm sa nuk mund ta përballojë ekspozimin e kësaj skulpture në Parlamentin Evropian, atëherë ai nuk e ka vendin në skenën botërore”, deklaroi Clausen.

Donald Trump ende nuk ka komentuar për veprën artistike, e cila më parë është ekspozuar në disa qytete evropiane, si dhe në Konferencën e OKB-së për Klimën (COP30) në qytetin brazilian Belém.