Prokuroria Publike ka publikuar rezultatet e analizave të mostrave të ujit në Gostivar, sipas të cilave është konstatuar se uji është shumë i ndotur dhe nuk mund të përdoret për asnjë qëllim. Njëkohësisht është hapur hetim ndaj ushtrueses së detyrës së drejtoreshës dhe dy drejtuesve të tjerë të NP “Komunalec” – Gostivar, të cilët janë arrestuar.

Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit ka nisur procedurë hetimore ndaj tre të dyshuarve për veprën penale “Vepra të rënda kundër mjedisit jetësor dhe natyrës, të shkaktuara me ndotjen e ujit të pijshëm”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së NP “Komunalec” – Gostivar, udhëheqësit teknik të Sektorit për Punë Teknike dhe përgjegjësit të Departamentit për Ujësjellës, Kanalizim dhe Punë Ndërtimore, me veprimet e tyre e kanë bërë të papërdorshëm ujin e pijshëm në dhomën e mbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth.

Sipas Prokurorisë, ata më 25 qershor u kishin dhënë urdhër punonjësve të ndërmarrjes që të vendosnin tre pompa në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur, pranë dhomës së mbushjes së ujit të pijshëm, me qëllim testimin e presionit të ujit.

Gjatë këqyrjes së kryer më 16 korrik, është konstatuar se dy nga pompat ishin ende në funksion dhe, përmes zorrëve të presionit të vendosura nëpër hapjen e tejmbushjes, transportonin ujë me substanca të dëmshme dhe baktere koliforme nga kanali i hapur në dhomën ku ndodhet uji i sistemit të mbyllur të ujit të pijshëm.

Si pasojë, në sistem ka ndodhur përzierja e ujit të ndotur me ujin e rrjetit kryesor të furnizimit me ujë.

Me urdhër të prokurorit publik, Instituti i Shëndetit Publik ka analizuar mostrat e ujit nga kanali i hapur. Rezultatet tregojnë se uji është jashtëzakonisht i ndotur dhe i papërdorshëm

, për shkak të pranisë së 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml.

Në mostrat e marra nga burimi i kapur është konstatuar numër i rritur i kolonive bakteriale aerobe mezofile, si dhe prani e 39 cfu/100 ml baktere koliforme, ndonëse sipas standardeve të referencës ato duhet të jenë 0 cfu/100 ml.

Për shkak të nivelit të lartë të ndotjes, uji është shpallur i pasigurt dhe i papërshtatshëm për përdorim dhe konsum.

Gjithashtu është analizuar një mostër uji e marrë nga një çezmë në rrugën JNA në Gostivar, ku është konstatuar përqendrim i lartë i klorit rezidual, 1,1 mg/l, që tejkalon ndjeshëm kufirin e lejuar sipas rregullores, i cili duhet të jetë nga 0,2 deri në 0,3 mg/l, ndërsa nuk guxon të kalojë 0,5 mg/l.

Duke pasur parasysh se pasojat e ndotjes nuk mund të eliminohen lehtësisht, prokurori publik vlerëson se ekzistojnë baza të mjaftueshme për dyshimin se është kryer vepra penale për të cilën zhvillohet hetimi.

Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit njofton se hetimet do të vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit. Të dyshuarit janë ndaluar dhe gjatë ditës prokurori do të vendosë se cilat masa sigurie do t’i propozojë gjykatës ndaj tyre.