Pushteti dhe opozita u perplasen pwr shkak pohimeve të eurodeputetit dhe raportues për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Tomas Vajc. Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, reagoi ndaj deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski se nuk është në dijeni për deklaratat e Vajcit dhe se Raporti është “antipod i plotë” i asaj që realisht po ndodh. Filipçe thotë se në vend që ta pranojë kritikën, kryeministri sërish hyri në mohim.
“Vajc në mënyrë eksplicite thotë se nuk sheh përkushtim serioz të Qeverisë për reformat, sidomos në pjesën e sundimit të ligjit, me vlerësim të drejtpërdrejtë se në vitin e fundit nuk kemi parë asnjë përparim në drejtim të eurointegrimit, e as ndonjë përparim në pjesën e reformave. Raportuesi Vajc qartë dhe pa mëdyshje e kritikon këtë pushtet për bllokimin e rrugës evropiane të Maqedonisë. Evropa dërgon mesazh të qartë: Nuk ka përparim derisa të plotësohen kushtet, e kjo përfshin edhe ndryshimet kushtetuese”, tha Venko Filipçe.
Lideri i LSDM-së akuzon se derisa pushteti e bllokon rrugën evropiane dhe nuk dëshiron t’i zbatojë ndryshimet kushtetuese, gjysma e VMRO-DPMNE-së, përfshirë edhe bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit, kanë pasaporta bullgare.
Nga VMRO-DPMNE, ndërkohë, dolën me kundërakuza. Thonë se Filipçe dhe LSDM për pushtet janë të gatshëm ta shesin gjuhën, kulturën dhe identitetin maqedonas.
“Filipçe dhe LSDM nuk kanë problem që gjuha maqedonase të jetë dialekt bullgar, Maqedonia të jetë pjesë e shtetit bullgar, Goce Dellçev, Pitu Guli, Jane Sandanski të shkruhen se janë bullgarë, vetëm që të vijnë në pushtet dhe të vjedhin. Filipçe dhe LSDM nuk kanë problem të jenë në shërbim të autoriteteve bullgare dhe ta përhapin politikën e tyre dhe të na bindin se ndryshimet kushtetuese janë hapi i vetëm që Maqedonia duhet ta bëjë për të hyrë në BE”, deklaroi Brane Petrushevski.
Ndryshe, Vajc në një intervistë për Euronews Bullgaria paralajmëroi se pa ndryshime kushtetuese dhe reforma, Maqedonia rrezikon të mbetet prapa në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Kryeministri, nga ana tjetër, i pyetur për këtë, tha se një gjë të tillë nuk e ka dëgjuar nga Vajc, por krejt e kundërta, përkatësisht se raportet për Maqedoninë kanë qenë pozitive.
