Pavarësisht kritikave të opozitës, Qeveria vlerëson se Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat paraqet avancim të Marrëveshjes së Ohrit edhe atë duke e bërë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat obligim ligjor për institucionet, sipas tyre, ai garanton të drejtën e vetëdeklarimit, por parasheh masa kundër keqpërdorimeve. Sekretarja Shtetërore Arlinda Gjakova u bëri thirrje deputetëve ta mbështesin ligjin, duke e cilësuar atë si një vlerë demokratike dhe kusht për një shoqëri të barabartë.
“Ky ligj gëzon mbështetje në Këshillin e Europës, pasi i është dhënë opinion pozitiv nga Komisioni i Venecias, ndërsa rekomandimet e përfshira në opinionin e tij, që synojnë përmirësimin e tekstit të ligjit, janë integruar në dispozitat e këtij ligji. Me këtë ligj, Qeveria jonë bën një hap historik në avancimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ligji ofron disa zgjidhje të rëndësishme. Ai mbështetet në të dhëna reale, në regjistrimin e fundit të popullsisë, në gjendjen faktike të institucioneve dhe në nevojat konkrete për punësime. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat bëhet obligim ligjor për institucionet dhe nuk do të varet më nga vullneti i një drejtori, i një ministrie apo nga interpretimi subjektiv i kujtdo”, tha Arlinda Gjakova – Sekretare Shtetërore.
Opozita kundërshtoi pretendimet e Qeverisë se Ligji për Përfaqësim të Drejtë është harmonizuar plotësisht me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Deputeti i Frontit Evropian Sali Murat theksoi se vetëm 65 për qind e rekomandimeve janë përfshirë në ligj, ndërsa një pjesë janë zbatuar vetëm pjesërisht ose nuk janëinkorporuar fare. Ata akuzojnë Qeverinë se e ka dërguar projektligjin në Komisionin e Venecias për të fituar kohë dhe kërkojnë debat juridik për të verifikuar shkallën reale të harmonizimit me rekomandimet e këtij institucioni.
“Ju thatë se ky ligj është në përputhje me mendimin e Komisionit të Venecias. Aspak nuk është kështu. Ne kemi bërë një analizë të thellë, e cila në fakt ju mundëson të analizoni rreth 70 pika. Vetëm 65% e rekomandimeve të Komisionit të Venecias janë inkorporuar në këtë ligj. Nga to, 4 janë harmonizuar plotësisht, 5 janë harmonizuar pjesërisht dhe 3 nuk janë harmonizuar fare. Ne e dimë se ligjin e dërguat qëllimisht në Komisionin e Venecias për të fituar kohë, në mënyrë që bilanci negativ i bashkësive të bëhej edhe më i lartë. Ja, vazhdimisht thoni se ligji është harmonizuar me Komisionin e Venecias. Atëherë, uluni ekipi ynë juridik me propozuesin tuaj dhe le të shohim ballë për ballë se sa fakte nuk përputhen. Analiza e tregon qartë gjithçka”, u shpreh Sali Murat – deputet i Frontit Europian.
Sali Murat duke kritikuar Ligjin theksoi se ligji vazhdon të ketë mangësi në definimin e nocioneve, nuk parashikon mbikëqyrje të pavarur nga Kuvendi apo një agjenci e pavarur, ndërsa procedura e hartimit nuk ka qenë gjithëpërfshirëse. Ndërkohë, në këtë komision me 7 vota për propozim ligji kaloi në lexim të mëtejmë.
