Policia ka ndaluar një djalë 15-vjeçar nga Shkupi, i cili ka plagosur rëndë një bashkëmoshatar të tij, përcjell TV21. Incidenti ka ndodhur në një shkollë fillore në komunën e Gazi Babës, kur i mituri ka hyrë në shkollë dhe me një mjet të mprehtë ka sulmuar një nxënës 15-vjeçar brenda objektit shkollor. Viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Nga policia është bërë e ditur se mjeti i mprehtë është sekuestruar dhe se do të ndiqet procedura përkatëse.
“Në datë 11.05.2026, në ora 14:50 në Shkup, zyrtarët policorë të SPB Shkup privuan nga liria një 15-vjeçar nga Shkupi, pas një denoncimi paraprak nga një shkollë fillore komunale në territorin e Gazi Babës, se i denoncuari kishte hyrë në shkollë dhe me një mjet të mprehtë i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore një nxënësi 15-vjeçar në shkollë. Mjeti është sekuestruar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të ngrihet kallëzim përkatës”, thuhet në njoftimin e policisë.
