Reagime ndaj Shasivarit: Barazimi i agresorit me viktimën, nuk është standard evropian

Gazetar: Suad Bajrami

BDI-ja opozitare e cilëson të papranueshëm qëndrimin neutral të ministrit të Drejtësisë për procesin gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë. Rinia e BDI-së kërkojnë përgjegjësi nga Jeton Shasivari pasi sipas tyre nuk mund të sillet si komentator politik e të relativizojë të drejtën dhe sakrificën e popullit të Kosovës.

“E para kërkojmë nga ministri i Drejtësisë që menjëherë të tërheqë deklaratën e tij dhe të kërkojë publikisht falje për qëndrimin e shprehur. E dyta kërkojmë nga krerët e VLEN të cilët e kanë sjellë këtë ministër në këtë detyrë, një distancim të qartë publik dhe pa ekuivok nga deklarata e tij. Heshtja përballë një deklarate të tillë nuk mund të interpretohet ndryshe përveçse si pajtim me të”, deklaroi Ylli Paçuku, Rinia e BDI-së.

Për Aleancën Shqiptare të Arben Taravarit, deklarata e ministrit Shasivari për Kosovën është skandaloze dhe politikisht e papranueshme, pasi legjitimon narrativin e Ivan Stoilkoviqit dhe Serbisë.

“Askush nuk e konteston pavarësinë e gjyqësorit dhe të drejtën e çdo të akuzuari për proces të drejtë. Por të flasësh për drejtësi duke krijuar simetri artificiale, pa përmendur agresionin e regjimit të Millosheviqit, masakrat, dëbimet, dhunën dhe mijëra viktimat shqiptare të luftës në Kosovë, është shtrembërim i realitetit historik”.

Në valën e reagimeve janë përfshirë edhe funksionarë të caktuar të VLEN-it. Drejtori i Agjencisë së Gjuhëve, Granit Osmani shkruan në Facebook se barazimi i viktimës me agresorin nuk është “standard evropian”, por shkelje mbi ndërgjegjen kombëtare.

Ndërkohë profesori universitar Mersim Maksuti porosit ministrin që përpara se t’i mësojë Kosovën për drejtësi, t’u kërkojë edhe të tjerëve standarde evropiane.

“Për këtë popull, njerëzit që sot gjykohen në Hagë nuk janë thjesht emra në një aktakuzë. Ata lidhen me një luftë që shoqëria kosovare e përjeton si luftë çlirimtare. Gjykata le të vendosë mbi bazën e provave dhe ligjit, por një ministër i huaj nuk mund t’i tregojë Kosovës se si duhet ta përjetojë historinë dhe dhimbjen e saj”.

Reagime të shumta ka pasur edhe nga Kosova. Deputet i PDK-së, Mërgim Lushtaku e porositë Shasivarin të merret me çështjen e shqiptarëve në Maqedoni e të mos lëshohen në deklarata që ngjajnë sikur janë shkruar, siç thotë ai, nga dora gjakatare e armikut.

“Dhe, në fund, ministrit po ia them edhe këtë: më mirë t’i thuash kryeministrit tënd, Mickoskit, të mos i kërkojë mikes së tij, Trendafilovës, të ushtrojë presion mbi trupin gjykues në Hagë për vendimin ndaj çlirimtarëve. Ne do ta mbrojmë të vërtetën, dinjitetin dhe shtetin tonë, ashtu siç e mbrojtën gjeneratat para nesh”.

Ndaj deklaratës së Shasiviarit kanë reaguar edhe figura të shumta të jetës politike, publike e akademike.

The post Reagime ndaj Shasivarit: Barazimi i agresorit me viktimën, nuk është standard evropian appeared first on Alsat.