Reagime të shumta pas sulmeve dhe kapjes se presidentit të Venezuelës. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas tha se ka folur me sekretarin amerikan të Shtetit, Marko Rubio dhe se BE-ja po e vëzhgon nga afër situatën.

“BE-ja ka deklaruar vazhdimisht se Maduros i mungon legjitimiteti dhe blloku e ka mbështetur një tranzicion paqësor. Në çdo rrethanë, parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Karta e OKB-së duhet të respektohen. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje”, deklaroi Kaja Kallas, Përfaqësuese e lartë e BE-së.

Ndërkohë ministria e Jashtme e Spanjës ka bërë thirrje për shtensionim të situatës dhe qetësim. Sipas diplomacisë spanjolle që çdo veprim duhet gjithmonë të ndërmerret në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. “Spanja është e gatshme të ofrojë shërbimet e saj për të arritur një zgjidhje paqësore dhe të negociuar të krizës së tanishme”, thotë Ministria e Jashtme spanjolle.

Ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e Rusisë, duke e cilësuar si agresion sulmin e SHBA-së ndaj Venezuelës. “Këtë mëngjes, Shtetet e Bashkuara kryen një akt agresioni të armatosur kundër Venezuelës. Kjo është thellësisht shqetësuese dhe e dënueshme. Pretekstet e përdorura për të justifikuar veprime të tilla janë të pabazuara”, reagon diplomacia ruse duke bërë thirrje për një mbledhje të menjëhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ndërkohë udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei tha se Venezuela duhet të bëjë qëndresë. “Kur një person e kupton se armiku po përpiqet në mënyrë arrogante të imponojë diçka mbi vendin, mbi zyrtarët, mbi qeverinë dhe mbi kombin, duhet të qëndrojë fort kundër armikut dhe t’i bëjë qëndresë. Ne nuk do t’i dorëzohemi armikut”, tha Khamenei. /Alsat.mk

The post Reagime të shumta dhe thirrje për përmbajte pas sulmeve amerikane në Venezuelë appeared first on Alsat.