Një pikturë e artistit të famshëm holandez Vincent van Gogh është shitur për 190.4 milionë dollarë në një ankand të organizuar nga Sotheby’s në Nju Jork, duke vendosur një rekord të ri për veprat e tij.
Piktura me titull “Châtaigniers en fleurs” (Gështenjat në lulëzim) tejkaloi ndjeshëm rekordin e mëparshëm të artistit, prej 117.2 milionë dollarësh, të vendosur në vitin 2022. Shitja historike u realizua të mërkurën, pas një marrëveshjeje të arritur në momentet e fundit për të zgjidhur një konflikt mbi historinë e pronësisë së veprës gjatë periudhës së nazizmit në Gjermani.
Piktura me vaj është realizuar në vitin 1890, gjatë dy muajve të fundit të jetës së Van Gogh-ut, dhe konsiderohet një nga veprat më të rëndësishme të asaj periudhe, që ende ndodhej në duar private. Para ankandit, vlera e saj ishte përllogaritur rreth 180 milionë dollarë. Ajo ishte pjesë e koleksionit Blaquier-Arrieta, ndërsa deri më tani nuk është bërë publik identiteti i blerësit që pagoi shumën rekord.
Ankandi u shoqërua me polemika për pretendimet e trashëgimtarëve të familjes Fischer, pronarët e mëparshëm gjermanë të pikturës, të cilët pretendonin se vepra ishte shitur nën presion gjatë periudhës së regjimit nazist. Sipas përfaqësuesve të tyre ligjorë, familja Fischer ishte detyruar ta shiste pikturën në Amsterdam para Luftës së Dytë Botërore, për shkak të vështirësive financiare që kishte pësuar kompania e tyre botuese, si pasojë e politikave naziste.
Sotheby’s njoftoi pak orë para ankandit se palët kishin arritur një marrëveshje të përbashkët, duke marrë parasysh historinë e ndërlikuar të veprës dhe vuajtjet e familjes Fischer gjatë Holokaustit.
Sipas dokumentacionit të pronësisë të publikuar nga Sotheby’s, piktura ishte blerë në vitin 1909 nga Samuel Fischer, një botues i njohur gjerman, dhe pas vdekjes së tij në vitin 1934 kishte kaluar te trashëgimtarët e familjes.
Në vitet 1932-1933, vepra ishte depozituar te tregtari i artit Paul Cassirer në Amsterdam, ndërsa në vitin 1936 kishte kaluar në pronësi të Henriette dhe Marcel Kapferer në Paris. Pas disa pronarëve të tjerë, familja Blaquier e bleu pikturën në vitin 1975 dhe e mbajti për më shumë se gjysmë shekulli, deri në shitjen rekord gjatë ditës së mërkurë.
