Me shumicën e votave të stafit akademik të 13 fakulteteve, Kushtrim Ahmeti është zgjedhur rektor i ri i Universiteti i Tetovës për mandatin trevjeçar.
Ahmeti fitoi 197 vota, ndërsa kandidatët e tjerë, Fehari Ramadani dhe Jusuf Zejneli, morën përkatësisht 119 dhe 22 vota.

Sipas të dhënave zyrtare, të drejtë vote kishin 355 anëtarë të këshillave mësimorë-shkencorë të fakulteteve, ndërsa në procesin zgjedhor morën pjesë 343 votues, ose 96.62 për qind.
Konkursi për zgjedhjen e rektorit u shpall më 4 maj, ndërsa tre kandidatët prezantuan programet e tyre në një debat publik para votimit. Zgjedhja e rektorit këtë herë u zhvillua pas një periudhe të gjatë debatesh dhe vonesash lidhur me procesin e mëparshëm zgjedhor në universitet.
