Gazetar: Bashkim Sulejmani

Shkolla e mesme e mjekësisë dhe ajo e ekonomisë në Tetovë ishin sot shënjestër e alarmeve të rrejshme për bomba. Ende pa filluar mësimi, nxënësit u larguan nga oborri, ndërsa shkollat u kontrolluan edhe nga pjesëtarë të Sektorit të Punëve të Brendshme të Tetovës. Alarmi kishte ardhur në adresën elektronike të shkollës dhe, sikurse herët e tjera, ishte i shkruar në gjuhën maqedonase.

“Diku rreth orës shtatë e lajmëruam në polici se në e-mailin zyrtar ka ardhur alarm për bombë. Nxënësit i pritëm para shkollës dhe nuk i lamë të futen brenda, i kthyem në shtëpi, derisa policia na dha me shkrim se është në rregull dhe mësimi mund të vazhdojë, por mësimi do vazhdoj pasdite. Gjithnjë alarmi na vjen në gjuhën maqedonase dhe na vjen nga e-maile që nuk i kemi të njohur”, u shpreh Malësore Ramadani, Drejtoreshë e SHMK “Nikolla Shtejn”.

Një situatë të ngjashme e përshkroi edhe drejtoresha e shkollës së mesme “8 Shtatori”, sipas së cilës mesazhi kishte mbërritur që në orët e para të natës.

“E-maili erdhi në ora një të natës në e-mailin tim personal dhe të sekretareshës. Po ashtu edhe tek e-maili i shkollës që e kemi lajmëruar që nuk është në funksion. Pas kontrollit, policia na dha leje që mund të vazhdojmë mësimin”, tha Hava Hasani, Drejtoreshë e Sh.M. “8 Shtatori”.

Nga policia e Tetovës konfirmuan se ka pasur dy alarme për bombë që kanë rezultuar të rrejshme. Zëdhënësi i policisë iu bëri thirrje prindërve për kontroll të fëmijëve, pasi dënimet janë të rrepta.

“Të dyja rastet kanë rezultuar se janë të rreme, por apeloj qytetarët që duke pasur parasysh eksperiencën e vitit paraprak ku patëm qindra alarme për bomba dhe dhjetëra persona të arrestuar ku pjesa më e madhe ishin të mitur, ligji në këto raste për të miturit parasheh masa pedagogjike por barrën më të madhe Ligjore e mbajnë prindërit. Apeloj te prindërit që të kontrollojnë mjetet elektronike të fëmijëve me të cilat komunikojnë, telefona, lap-topë apo tablete dhe të kenë nën kontroll se çfarë bëjnë dhe me kënd komunikojnë fëmijët e tyre”, deklaroi Fatmir Rexhepi, Zëdhënës i SPB Tetovë

Vitin e shkuar në Tetovë pati dhjetëra alarme të rrejshme për bomba të vendosura nëpër shkolla, sidomos në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”. Si rezultat i këtyre alarmeve, u arrestuan disa persona, shumica e të cilëve ishin adoleshentë./Alsat.mk

 

The post Rikthehen alarmet për bomba nëpër shkolla, ekonomia dhe mjekësia viktima të kësaj të hëne appeared first on Alsat.