Pas 7 vitesh qëndrimi me dyer të mbyllura, kompleksi i quajtur ‘Fshati Maqedonas’, në Nerez të Shkupit,  sot rihapi portat për vizitorët, përcjell TV21. Turistët, por edhe vendasit, mund të gjejnë aty dhoma dhe apartamente, restorante me ushqim tradicional, gjersa etno-kompleksi ofron edhe një panoramë të bukur të kryeqytetit. Për ta parë nga afër rihapjen, ishte edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili i përgëzoi investitorët për guximin për të investuar. Koncesioni për 15 vjet i është dhënë kompanisë “H-S-H GRUP”, përfaqësuesja e së cilës, Simona Millkovska, u tha se ndihen të kënaqur që u është dhënë mundësia që ta ripërtërinë “fshatin maqedonas” dhe ta kthejnë autenticitetin e kompleksit.

“Qëllimi ynë ta kthejmë kompleksin në vend turistik autentik që përsëri do të vendohet në hartën e destinacioneve turistike për vizitorët vendas dhe të huaj. Për ecurinë e ngjarjeve dhe programit për kompleksin më shumë informacione mund të merrni duke i ndjekur profilet sona sociale”, tha Simona Millkovska, Përfaqësuese e Kompanisë “HSH GROUP”.