Marshimin „Flamuri që na bashkon“ e përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili tha se në këtë ditë me shi nxënësit nuk ngurruan të dalin dhe ta zhvillojnë këtë marshim kombëtar.

 “Flamuri jonë është i gjallë, flamuri jonë është që valvitet në zemrat e këtyre të rinjve që sot në këtë kohë të shiut, në këtë kohë të dimrit po valvitin flamurin kuqezi. Urime Tetovë, urime shqiptarë, Ditën e Flamurit, 28 Nëntorin! Rrisni emocionet në këtë ditë kaq të bukur, në një ditë nëntori që është më e bukura për ne shqiptarët. Sot jemi në sheshin e Tetovës për të festuar ditën më të bukur, Ditën e Flamurit tonë, ditën që na bashkon. Sot, nga rrethrrotullimi i Universitetit të Evropës Juglindore deri në këtë shesh, rreth 1.500 nxënës i dhanë madhështi marshit ‘Flamuri që na bashkon’. Falënderim i veçantë për organizatorët, mësuesit që përgatitën nxënësit dhe prindërit që sot festojmë bashkë me ta”, tha Kasami

Përveç nxënësve të shkollave të mesme, edhe shoqëritë kulturo-artistike në Tetovë kishin përgatitur valle të ndryshme nga treva të ndryshme, si nga jugu ashtu edhe nga vetë Tetova.

Ndërkohë, në Gostivar manifestimi qendror mbahet sot në orët e mbrëmjes, ndërsa aktivitete u zhvilluan edhe në shkollën fillore „Ismail Qemali“. Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, porositi nxënësit që t’i kultivojnë vlerat kombëtare, duke veçuar mbajtjen e fjalës, apo siç njihet në traditë – besën.

“Unë besoj që ju si nxënës edhe tani por edhe me të ardhmen do t’i kultivoni në mënyrën më të mirë dhe do të bëni çdo rimë që të tregojmë që shqiptarët gjithmonë kanë qenë dhe do të jenë njerëz të cilët i prijnë proceseve. Paralelisht me këtë, do t’i kisha dashur të gjithë ju nxënës t’i kultivoni edhe vlerat tona si shqiptarë e mbi të gjitha të edukoheni, të mbani fjalën apo besën siç e kemi ne traditë dhe mbi të gjitha të jeni të ndershëm”, tha Limani

Manifestime të tjera për 28 Nëntorin u mbajtën edhe gjatë ditës së djeshme në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Pollogut.