Në Shkup, festa u përqendrua në Sheshin “Skënderbeu”, ku përmes një koncerti dhe programi artistik u shënua 28 Nëntori, por edhe 20-vjetori i vendosjes së shtatores së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Në Kërçovë, festa u shënua përmes aktiviteteve të organizuara në disa shkolla të qytetit dhe rrethinës, ndërsa manifestimi qendror u mbajt në fshatin Garan, pranë shtatores së Skënderbeut.
Atmosferë kuqezi kishte edhe në qytet. Bulevardi u zbukurua me flamuj shqiptarë nga Komuna e Kërçovës, ndërsa pjesa e vjetër e qytetit u dekorua me iniciativën e Lëvizjes “Te Berza”.

Megjithatë, këtë 28 Nëntor, atmosfera festive ishte veçanërisht e pranishme edhe në fshatrat e kësaj komune. Në Llabunisht u ngrit flamuri shqiptar, ndërsa në Veleshtë u organizua manifestim festiv në qendër të fshatit, ku banorët festuan nën ngjyrat kuqezi.

Festë dhe atmosferë festive kishte edhe në disa vendbanime të Komunës së Kumanovës, ku qytetarët iu bashkuan shënimit të Ditës së Flamurit përmes aktiviteteve të ndryshme.

Këngë, valle, flamuj kuqezi dhe aktivitete të shumta kulturore shoqëruan edhe këtë vit festën e 28 Nëntorit, duke dëshmuar se kjo datë mbetet një nga ditët më të rëndësishme të identitetit dhe kujtesës kombëtare shqiptare.