Kryetari i ASH-së Ziadin Sela tha se ideja për badinter në Gjykatën Kushtetuese është ide e partisë së tij dhe se dikush po tenton t’i përvetësoj nëpër kongrese, duke aluduar në BDI.
“Për fat të keq shihet se, por edhe për fat të mirë ndoshta, shihet se edhe parti tjera, propozimet tona tashmë po i shndërrojnë në vepra politike nëpër kongreset që i mbajnë. Ideja për badinter në Gjykatën kushtetuese ishte ideja jonë e ASH-së, siç është edhe ideja që Qeveria e cila do të votohej me badinter, gjithashtu është propozim i yni. Këto janë tema për të cilat ne do të bisedonim”, deklaroi Ziadin Sela.
Para fillimit të mbledhjes së kuvendit të ASH-së që u mbajt sot, Sela u pyet nëse do të diskutohet edhe hyrja e ASH-së në Qeveri?
“Kuvendi ka të drejtë të diskutojë për çdo temë. Çdo anëtar i kuvend ka ta drejtën që të japë propozime ta arsyetojë propozimin të cilin e jep, por kuvendi nga ana tjetër ka të drejtë të marre vendim. Prioriteti jonë është konsolidimi i partisë”, tha Ziadin Sela.
Pas përfundimit të mbledhjes, nuk u dhanë detaje në lidhje me këtë temë. TV21 mëson se në mbledhje është thënë se së pari duhet të rregullohet çështja e partisë.
Ndryshe në mbledhje e sotme u vendos që kongresi të mbahet në fund të muajit prill ose në fillim të muajit maj të vitit 2026. Gjithashtu është formuar një komision për organizimin e kongresit dhe është diskutuar edhe për rezultatin e zgjedhjeve lokale.
