Shtetet e Bashkuara kanë autorizuar të hënën shitjen e naftës iraniane, duke lehtësuar sanksionet që kanë qenë në fuqi prej dekadash, ndërsa po përpiqet të arrijnë një marrëveshje përfundimtare paqeje me Iranin, në këmbim të angazhimeve për inspektime bërthamore dhe liri lundrimi nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Licenca e përgjithshme, e shpallur nga Departamenti Amerikan i Thesarit, lejon shitjen e naftës bruto, si dhe të produkteve petrokimike dhe naftore me origjinë iraniane, deri më 21 gusht.
Licenca parashikon që nafta iraniane mund të importohet në SHBA kur kjo është e nevojshme për përfundimin e shitjes, dorëzimit ose shkarkimit të saj. SHBA-ja nuk ka importuar në mënyrë domethënëse naftë iraniane që kur Uashingtoni vendosi masa ndëshkuese pas Revolucionit Iranian të vitit 1979.
“Në përputhje me bisedimet produktive që po zhvillohen në Zvicër, Irani është zotuar të garantojë tranzit të lirë dhe të hapur në Ngushticën e Hormuzit dhe të lejojë inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) të hyjnë në vend”, ka shkruar në rrjetin X sekretari i Thesarit amerikan, Scott Bessent.
“Si pj esë e këtij kuadri, Departamenti i Thesarit ka lëshuar një licencë të përkohshme 60-ditore që autorizon prodhimin, dorëzimin dhe shitjen e naftës iraniane”.
Sipas memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar javën e kaluar mes Uashingtonit dhe Teheranit, SHBA-ja pranoi të japë përjashtime nga sanksionet për eksportin e naftës bruto iraniane, produkteve të naftës dhe derivateve të tyre, si dhe për të gjitha shërbimet e lidhura, përfshirë transaksionet bankare, sigurimet dhe transportin.
Sipas licencës, pagesat ndaj Iranit mund të kryhen në fonde të denominuara në dollarë amerikanë.
Kuba, Koreja e Veriut dhe Krimea, janë ndër subjektet e përjashtuara nga kjo licencë.
Washingtoni vendosi për herë të parë sanksione ndaj Iranit në vitin 1979, kur studentët revolucionarë pushtuan ambasadën amerikane në Teheran dhe mbajtën peng diplomatët amerikanë. Që atëherë janë vendosur shumë sanksione të tjera për shkak të programit bërthamor të Iranit dhe mbështetjes së tij për grupe që SHBA-ja i konsideron organizata terroriste.
