Shkëndija kërkon fitoren e katërt radhazi në kampionat, ndërsa rikthimi i tifozëve në tribuna pritet t’i japë një shtysë shtesë kuqezinjve. Pas tri fitoreve në tri xhirot e para, Shkëndija synon të vazhdojë ecurinë perfekte dhe të mbrojë kreun e tabelës. Përballë do të ketë Struga Trim&Lum, e cila gjithashtu e ka nisur mirë sezonin, me dy fitore dhe një barazim.

Sulmuesi i Shkëndijës , Vane Kërstevski konfirmoi atmosferën pozitive në ekip dhe synimin e vetëm për të vazhduar ecurinë e fitores.

 “Normalisht, ne gjithmonë shkojmë ndeshje pas ndeshjeje, çdo përballje është e rëndësishme pa marrë parasysh nëse është në Evropë apo në kampionat. Kishim një dëshpërim nga eliminimi, por si profesionistë nuk duhet t’i kushtojmë vëmendje kësaj, duhet të ngrihemi, të vazhdojmë me punë dhe të fokusohemi për të përparuar në ligë, për të marrë fitore të reja dhe kjo është e gjitha”, tha Vane Kërstevski – futbollist i Shkëndijës .

Shkëndija vjen në këtë përballje pas fitores 4:1 ndaj Bregallnicës, ndërsa Struga në xhiron e fundit mposhti Vardarin 1:0.

Nga kampi i Strugës, mesfushori Arbi Vosha vlerëson kundërshtarin, por thotë se skuadra e tij është e fokusuar te puna e vet.

“Shkëndija ka një skuadër të mirë dhe lojtarë cilësorë, por ne jemi të fokusuar vetëm te puna jonë. Në ndeshje të tilla çdo lojtar duhet të japë maksimumin, për të shpresuar në një rezultat pozitiv”, u shpreh Arbi Vosha – futbollist i Struga T&L.

Ndeshja zhvillohet sonte, në orën 19:00, në Kompleksin e FFM-së në Shkup. Kuqezinjtë vazhdojnë të luajnë jashtë Tetovës për shkak të punimeve në stadiumin e qytetit.

Nga ora 17:00 në program është edhe ndeshja Vardari – Sileksi.