Shkëndija e ka nisur në mënyrën më të mirë rrugëtimin në garat evropiane, duke triumfuar me rezultat bindës 5-0 në transfertë ndaj Europa FC.
Skuadra tetovare ishte dukshëm superiore gjatë gjithë takimit, duke kontrolluar lojën nga minuta e parë dhe duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në fazën e ardhshme.
Golin e parë për kuqezinjtë e realizoi Fahd Ndzengue në minutën e 28-të, pasi u asistua mjaft mirë nga Endrit Krasniqi.
Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale 1-0 në favor të Shkëndijës, ndërsa në fraksionin e dytë të lojës ekipi tetovar tregoi edhe më shumë efikasitet.
Fabrice Tamba ishte protagonist me dy gola, të shënuar në minutat 52 dhe 75, duke e çuar rezultatin në një avantazh të rehatshëm.
Edhe Almir Kryeziu debutoi me gol në ndeshjen e tij të parë zyrtare, duke realizuar për 4-0 në minutën e 83-të.
Pikën e fundit fitores së thellë ia vendosi Besar Ibrahimi, i cili shënoi golin e pestë të takimit.
Sa i përket futbollistëve kosovarë, Endrit Krasniqi dhe Drilon Islami e nisën sfidën si titullarë, ndërsa Almir Kryeziu u inkuadrua në pjesën e dytë dhe arriti të regjistrohej edhe në listën e golashënuesve.
