Gazetare: Melihate Rustemi
Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga era e fuqishme që goditi Maqedoninë e Veriut, pasojat vazhdojnë të jenë të dukshme. Në shumë lagje të Shkupit ende ka dru dhe degë të rrëzuara që tashmë kanë bllokuar trotuare, hapësira publike dhe në disa raste pengojnë edhe lëvizjen e qytetarëve dhe makinave. Institucionet kanë intervenuar në disa lokacione, por banorët thonë se pastrimi nuk ka përfunduar. Sipas tyre, në shumë vende drunjtë e rrëzuar kanë mbetur aty prej ditësh.
Disa qytetarë vlerësojnë se prioritet ka qenë lirimi i rrugëve kryesore dhe i hapësirave më të frekuentuara. Megjithatë, ata theksojnë se dëmet janë të shumta dhe se nevojitet angazhim i vazhdueshëm për pastrimin e plotë të terrenit.
“Po e shoh që vetëqeverisja lokale ka prioritet hapësirat publike t’i lirojë që të kalojnë më lehtë qytetarët, por janë të shumta, do të kenë akoma shumë punë. Në fshatin tim Rzhaniçino ishte tmerr, sikur një tajfun të kishte kaluar. Një pjesë e madhe është pastruar, besoj që do të vinë në radhë edhe kërkesat tona për të intervenuar në pronat private,” tha një qytetar.
Disa qytetarë të tjerë thonë se, përveç drunjve të rrëzuar, në disa vende janë grumbulluar edhe mbeturina që nuk janë larguar prej ditësh.
“Nuk janë vetëm drutë që kanë mbetur, ka edhe shumë gjëra të tjera, shiko edhe mbeturinat si janë bërë, me ditë qëndrojnë aty. E rëndësishme ishte vetëm të ulen në kolltukë”. – Qytetar.
Alsat kërkoi përgjigje nga Ndërmarrja Publike “Parqet dhe Gjelbërimet” për të sqaruar se në cilat lokacione ende nuk ka përfunduar pastrimi dhe kur pritet të hiqen drunjtë e mbetur. Drejtori i ndërmarrjes, Muamer Seferi, deri në këto momente nuk pranoi të japë deklaratë. Derisa ekipet vazhdojnë punën në terren, qytetarët presin që pastrimi të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që rrugët, trotuaret dhe hapësirat publike të jenë plotësisht të sigurta për lëvizje. /Alsat.mk
The post Shkup, trotuaret ende të bllokuara nga pasojat e stuhisë appeared first on Alsat.
