Shpërthimin në Zubin Potok, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur akt terrorist që synon dëmtimin e infrastrukturës dhe shtoi se, ky sulm është kryer nga profesionistët, përcjell TV21. Ky veprim, Kurti tha se është i dirigjuar nga Serbia, ndërkohë që paralajmëroi se një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike.
“Ky është sulm kriminal dhe terrorist i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike. Sulmi është kryer nga profesionistë. Ne besojmë që vjen nga bandat e dirigjuara nga Serbia. Nëse dëmi nuk riparohet atëherë një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes”, tha Kurti.
Ai tutje shtoi se, Serbia nuk e ka ndryshuar as qëndrimin e as qëllimin dhe për këtë, duhet përgatitur për të gjitha. Kryeministri njoftoi se janë në bashkëpunim të vazhdueshëm me ndërkombëtarët por, siç tha, edhe institucionet e Kosovës po bëjnë punën e tyre.
“Duhet të përgatitemi për gjithçka, meqenëse Serbia nuk e ka ndryshuar as qëndrimin e as qëllimin. Dhe do të bëjmë edhe ne gjithçka me forcën, kapacitete dhe dijen që kemi. Jemi në bashkërendim me partnerët tanë. Por punën kryesore e bëjmë ne, policia, inxhinierët e KEK-ut, ekspertët në Ibër-Lepenc, Qeveria, qytetarët. Ne jemi bartës të sanimit të kësaj gjendjeje sepse ata po sulmojnë në mënyrë tinëzare e qyqare. Dikur i kanë kontrolluar këto asete, i kanë pasur komunat, kanalin, Policinë, liqenin e Ujmanit. Sulmet e tyre vijnë sepse e kanë humbur kontrollin. Po t’i kishin sikur dikur, do ta shantazhonin komplet shtetin e Kosovës”, deklaroi Kurti./TV21