Shpenzimet e jetesës po rriten, e bashkë me to edhe shuma që u nevojitet qytetarëve për të përballuar muajin. Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Ekonomisë, shporta e konsumit në tetor ka arritur në 59.149 denarë, që është për 942 denarë më shumë krahasuar me shtatorin, përkatësisht një rritje prej 1,6 për qind. Rritja më e madhe është regjistruar te ushqimet dhe pijet, veçanërisht te pemët dhe perimet. Shpenzime më të larta janë evidentuar edhe për banimin, veshmbathjen dhe këpucët, si dhe për rekreacionin dhe kulturën.
“Çmimet i monitorojmë çdo ditë, jo vetëm në këtë periudhë kur kemi rritje të çmimeve. Në rastet kur kemi sjellje devijante në të gjithë zinxhirin e furnizimit, nga prodhimi, shpërndarja e deri te tregtarët, nëse kemi rritje të marzheve, ne jemi këtu, siç kemi vepruar edhe në periudhën e kaluar, për të ndërmarrë masa, përkatësisht për të reaguar përmes procedurave dhe mekanizmave administrative që kemi në dispozicion, si dhe kompetencave që ka Ministria”, deklaroi Durmishi.
Ministria informon se inflacioni mujor në tetor ka qenë 0,4 për qind, ndërsa ai vjetor 3,3 për qind. Durmishi pret që deri në fund të vitit inflacioni të zbresë nën tre për qind. Sa i përket pagës minimale, ai thotë se Qeveria po punon për rritjen e saj. Por, përllogaritja sindikale tregon një barrë edhe më të madhe për buxhetin familjar. Sipas Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, shporta minimale për muajin nëntor kushton 70.827 denarë, që paraqet rritje prej 469 denarësh vetëm brenda një muaji. Nëse familja jeton në një banesë me qira prej 60 metrash katrorë, shpenzimet e nevojshme arrijnë në 86.202 denarë.
Përveç monitorimit të çmimeve, Qeveria paralajmëron edhe ndryshime në Ligjin për Praktikat e Padrejta Tregtare. Edhe pse zbatohet prej dhjetë muajsh, sipas ministrit Durmishi, ligji nuk ka dhënë rezultatet e pritshme. Për këtë arsye, po përgatiten sanksione më të ashpra, me gjoba deri në 200 mijë euro, përkatësisht dhjetë herë më të larta se ato aktuale. Me ndryshimet do të përfshihen edhe zinxhirët e mëdhenj tregtarë dhe distributorët. Pritet që zgjidhjet e reja ligjore të miratohen gjatë vitit të ardhshëm.
