Policia e Shqipërisë njoftoi se ka arrestuar 11 persona mbrëmjen e djeshme në protestën e PD ndërsa 15 të tjerë u proceduan penalisht mes të cilëve deputeti i PD Klevis Balliu dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Aulon Kalaja. Sipas policisë, gjatë tubimit, u dëmtuan 5 punonjës policie.
Në momentin e ndërhyrjes, shërbimet e Policisë sekuestruan 45 molotovë, që disa protestues i kishin përgatitur për të vijuar sulmin ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore. Efektivët u përplasën me deputetët e opozitës, që qëndronin në vijën e parë të frontit, por edhe mbështetësit e pranishëm në shesh. Sasi e madhe uji, gazi lotsjellës dhe spray me piper u hodh ndaj protestuesve, ku disa prej tyre u lënduan, përfshirë dhe deputetë
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka denoncuar dhunën policore ndaj protestuesve gjatë protestës së djeshme. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, kreu demokrat tha se protestues dhe drejtues të opozitës janë goditur dhe arrestuar, ndërsa akuzoi policinë për përdorimin e “sprajit të ariut” ndaj qytetarëve, të cilin e cilësoi si veprim të paprecedentë
“Për këtë qëllim në mënyrë të programuar ata përdorën një armë, spraj kundra ariut, që është dhjetra herë më i fuqishëm. Përdorimi i këtij spraji përbën vepër të rëndë penale”, deklaroi Sali Berisha, Kryetar i PD-së.
Partia Demokratike ka zhvilluar protesta kohë pas kohe që nga fundi i vitit të kaluar, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike. Ajo e akuzon Qeverinë socialiste për “korrupsion”, dhe për “bllokimin e drejtësisë”, duke pretenduar se kjo është “pengesë për rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian”./Alsat.mk.
The post Shqipëri: Protesta e PD-së, 11 të arrestuar appeared first on Alsat.
