Pas miratimit nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, edhe Qeveria e Shqipërisë ka dhënë dritën jeshile për vënien në funksion të sistemit të përbashkët të kontrolleve kufitare “One Stop Shop” ndërmjet dy vendeve, transmeton TV21.
Marrëveshja synon krijimin e pikave të përbashkëta kufitare dhe zhvillimin e procedurave të koordinuara të kontrollit, me qëllim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar mes dy shteteve.
Me këtë vendim, Shqipëria i bashkohet Maqedonisë së Veriut në përmbylljen e procedurave për zbatimin e sistemit, i cili pritet të reduktojë ndjeshëm kohën e pritjes në kufi.
Zbatimi fillestar do të nisë në pikën kufitare Qafë Thanë, ndërsa në fazat e ardhshme do të shtrihet edhe në vendkalimet e tjera kufitare mes dy vendeve.
Për finalizimin e plotë të procesit mbetet të nënshkruhet marrëveshja përkatëse ndërmjet ministrive të punëve të brendshme.
Pëndryshe, gjatë vitit 2025, në pikat kufitare mes dy vendeve janë regjistruar mbi 4.5 milionë udhëtarë, ndërsa më shumë se 2.3 milionë prej tyre kanë kaluar vetëm përmes pikës kufitare Qafë Thanë.
Sistemi “One Stop Shop” tashmë funksionon mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në pikën kufitare Bllacë-Hani i Elezit, si dhe me Serbinë./TV21
