Në një aksion të përbashkët dhe të koordinuar të autoriteteve të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, në Shkup është arrestuar një person me iniciale S. M. (42), për të cilin ekzistojnë dyshime se ka planifikuar kryerjen e veprave të rënda penale, përcjell TV21. Sipas informacioneve nga Ministria e Brendshme e Serbisë, i arrestuari është anëtar i një grupi të organizuar kriminal dhe ka hyrë ilegalisht në Maqedoni, ndërsa dyshohet se ka ardhur me qëllim kryerjen e veprave të rënda penale në emër të anëtarëve të grupit kriminal ku bën pjesë, më së shumti vrasje.
“Sipas dyshimeve, S. M. në periudhën e mëparshme ka hyrë ilegalisht në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe, siç dyshohet, në atë vend ka planifikuar kryerjen e veprave të rënda penale në emër të anëtarëve të grupit kriminal ku bën pjesë, më së shumti për kryerjen e veprës penale të vrasjes”, thuhet në njoftimin e MPB-së së Serbisë.
Nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë konfirmuan se aksioni është realizuar dje nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit . Përveç S. M., janë arrestuar edhe dy persona të tjerë.
“Janë kryer bastisje në disa lokacione në Shkup, ku janë gjetur drogë, para dhe telefona celularë. Janë privuar nga liria tre persona, prej të cilëve dy shtetas serbë dhe një shtetas maqedonas”, thonë nga MPB e Maqedonisë.
Nga MPB bëjnë të ditur se pas dokumentimit të rastit, do të parashtrohen kallëzime përkatëse.



