Sileksi – Shkëndija 1:0 është epilogu i finales së 33-të të Kupës së Maqedonisë, e cila u zhvillua sonte në Shkup. Golin e fitores e realizoi Aliq në minutën e 71-të. Kratovarët jo vetëm që për herë të katërt e fituan trofeun, por siguruan edhe kualifikimin në garat evropiane.
Shkëndija e mbylli sezonin pa trofe. Kjo ishte humbja e katërt në finalen e gjashtë për skuadrën tetovare.
Sileksi e nisi më mirë ndeshjen me presion të lartë dhe lojë agresive, ndërsa Shkëndija mori iniciativën pas minutës së 20-të.
Rastin më të mirë në pjesën e parë për Shkëndijën e pati Krasniqi në minutën e 45-të, por nuk arriti të shënojë nga afërsia.
Në pjesën e dytë, Shkëndija ishte më e rrezikshme, por portieri Xhekov bëri disa pritje vendimtare për të mbajtur portën të paprekur.
Pas golit të Sileksit pati tensione dhe përplasje mes futbollistëve të të dy skuadrave deri në fund të finales.
