Halil Snopçe, deputet i Aleancës për Shqiptarët, ka shprehur shqetësime serioze lidhur me Propozimligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke vlerësuar se ai nuk ofron garanci të mjaftueshme për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera.

Sipas Snopçes, ligji i propozuar nuk i plotëson standardet e nevojshme dhe lë hapësirë për keqpërdorime dhe diskriminim, duke dobësuar pozitën institucionale të shqiptarëve. Ai theksoi se bëhet fjalë për një çështje që prek drejtpërdrejt parimet kushtetuese dhe se nuk mund të trajtohet si një akt thjesht teknik.

Deputeti i ASH-së kritikoi mungesën e një debati të gjerë publik dhe mos përfshirjen e ekspertëve të fushës në procesin e hartimit të ligjit. Sipas tij, një çështje kaq e ndjeshme kërkon konsultime të gjera dhe mekanizma të qartë zbatimi që garantojnë mbrojtjen e interesave të shqiptarëve.

Snopçe vlerësoi se edhe VMRO-DPMNE është e vetëdijshme për domosdoshmërinë e miratimit të një ligji të tillë, veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe hapjes së kapitujve 23 dhe 24. Megjithatë, ai pretendon se versioni aktual i ligjit është hartuar në mënyrë që t’u përshtatet interesave të kësaj partie.

Ai shprehu gjithashtu pakënaqësi ndaj qëndrimit të koalicionit VLEN, duke e akuzuar për pasivitet dhe mungesë angazhimi në procesin e mbrojtjes së interesave të shqiptarëve.

Aleanca për Shqiptarët kërkon që teksti i ligjit të rishikohet, të përfshijë mekanizma të detyrueshëm zbatimi, afate të qarta dhe masa korrigjuese, si dhe të hapet ndaj konsultimeve me komunitetet përkatëse dhe ekspertët kushtetues.

“Ne nuk do të pranojmë një rregullim që e zvogëlon zërin dhe të drejtat tona për hir të kompromisit politik”, ka deklaruar Snopçe, duke shtuar se ASH do të vazhdojë të kërkojë zbatimin e standardeve që garantojnë përfaqësim të drejtë dhe adekuat në praktikë.