Gazetare: Ilirida Sulejmani
Eklipsi diellor i 12 gushtit pritet të jetë një nga ngjarjet astronomike më të jashtëzakonshme të dekadës, ku për vetëm pak minuta, qielli do të ofrojë një spektakël që ndodh rrallë.
Ky fenomen ka një rëndësi të veçantë për Evropën, pasi do të jetë eklipsi i parë total diellor i dukshëm nga Evropa kontinentale që prej vitit 1999, për këtë arsye, miliona njerëz do të drejtojnë sytë nga qielli për të ndjekur eklipsin diellor, fenomen ky që për pak çaste do të shndërrojë ditën në natë në zonat ku ai do të shihet i plotë.
Eklipsi diellor ndodh kur hëna kalon midis Diellit dhe Tokës dhe hedh hijen e saj mbi një pjesë të sipërfaqes së planetit, duke mbuluar diskun e ndritshëm të Diellit, ku më pas, drita e ditës zbehet papritur, qielli merr pamjen e muzgut dhe rreth Hënës së errët bëhet e dukshme kurora diellore. Kohëzgjatja maksimale e fazës së totalitetit përgjatë gjithë rrugës së eklipsit do të jetë 2 minuta e 18 sekonda. Vendet të cilat do të kenë fatin të shohin këtë mrekulli në formën e plotë do të jenë: Grenlanda, Islandë, pjesë e Rusisë veriore, Oqeani Atlantik dhe Spanja, ndërsa në shumë vende të Evropës fenomeni do të jetë i pjesshëm. Veçanti e këtij eklipsi është se në disa rajone ai do të ndodhë pranë perëndimit të Diellit, duke krijuar pamje mahnitëse me qiellin që errësohet ndërsa Dielli zhduket pas Hënës. Kjo dukuri jo vetëm që është mjaftë interesante, por është edhe mjaft e dobishme, pasi vetëm në këtë rast, astonomët arrijnë të shohin qartë atmosferën e jashtme të hollë të Diellit të quajtur kurorë, me çka ata munden më lehtë ta studiojnë.
“Ato janë ende jashtëzakonisht të dobishme për kërkime. Pra, kur kemi atë moment të plotësisë së hënës direkt përpara diellit, ajo zbulon atmosferën e jashtme të hollë të diellit të quajtur kurorë. Diçka që është ende mjaft misterioze për astronomët, kështu që ne mund ta studiojmë atë gjatë atij momenti.” – Jake Foster (astronom).
Në Maqedoninë e Veriut eklipsi do të jetë i dukshëm por vetëm pjesërisht, sepse Dielli do të jetë shumë pranë horizontit në fazën e perëndimit. Mirëpo, krahas emocioneve, ekspertët bëjnë thirrje për kujdes, pasi shikimi i Diellit pa syze të certifikuara mbrojtëse mund të dëmtojë rëndë shikimin, ndaj këshillohet që fenomeni të ndiqet vetëm me pajisje të përshtatshme ose përmes transmetimeve të drejtëpërdrejta. /Alsat.mk
The post Sot eklipsi diellor, qielli do të errësohet për pak minuta appeared first on Alsat.
