Nën moton “Avancimi i qëndrueshmërisë klimatike dhe tranzicionit energjetik në rrugën drejt COP31”, sot dhe nesër në Shkup do të mbahet Forumi i 9-të Rajonal për Klimën, Tranzicionin Energjetik dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor – MEF 2026. Forumi do të mbledhë politikëbërës, organizata ndërkombëtare, institucione financiare, sektorin privat dhe shoqërinë civile, me qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike.

Sipas organizatorëve, në hapjen zyrtare dhe gjatë programit do të marrin pjesë përfaqësues të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë, mes tyre kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Muhamet Hoxha, ambasadori i BE-së Michalis Rokas, drejtori i Sekretariatit të Energy Community, Artur Lorkowski, si dhe drejtori ekzekutiv i MEF dhe ZIP Institute, Agim Selami. Një fjalim të veçantë do të mbajë edhe Fatma Varank.

Ngjarja organizohet në partneritet me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa konsiderohet një nga platformat më të rëndësishme rajonale për diplomacinë klimatike në Evropën Juglindore.

Këtë vit, MEF 2026 gëzon statusin e ngjarjes zyrtare partnere të Presidencës së COP31, duke u bërë pjesë e përgatitjeve ndërkombëtare për samitin e ardhshëm global për klimën. Përfundimet dhe rekomandimet nga diskutimet në Shkup do të kontribuojnë në përfshirjen e perspektivës rajonale në debatet globale mbi veprimin klimatik, tranzicionin energjetik, qëndrueshmërinë klimatike dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

“Në një kohë me rreziqe klimatike në rritje, fenomene ekstreme të motit dhe sfida të shtuara gjeopolitike, MEF 2026 do të fokusohet në tema që lidhen me qëndrueshmërinë klimatike, tranzicionin e drejtë, bashkëpunimin rajonal, burimet e ripërtëritshme të energjisë, investimet e gjelbra, lëndët e para kritike dhe zinxhirët e qëndrueshëm të furnizimit. Forumi do të krijojë hapësirë për zgjidhje të përbashkëta rajonale që lidhin objektivat klimatike me stabilitetin ekonomik, sigurinë dhe kohezionin social”, theksojnë organizatorët.

Sipas tyre, MEF 2026 përfaqëson një urë të rëndësishme ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe agjendës globale klimatike, duke i mundësuar rajonit që sfidat, politikat dhe prioritetet e tij t’i paraqesë drejtpërdrejt në diskutimet ndërkombëtare për klimën dhe të kontribuojë në ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe më rezistente.