Në vijim të vizitës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Kryeparlamentarja Elisa Spiropali u takua me kreun e qeverisë në Shkup, Hristijan Mickoski, ku theksoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e meritojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Zyra e shtypit e Parlamentit, në një njoftim për mediat, ndau detaje nga takimi.

Sipas njoftimit, Spiropali duke biseduar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, nënvizoi vullnetin e Shqipërisë për avancimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve dhe kontributin e përbashkët në nxitjen e bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar.

“Shqipëria gëzohet për çdo arritje të RMV drejt anëtarësimit në BE-së dhe si partnere në NATO.

Të dy vendet tona do të vijojnë të bashkëpunojmë për thellimin e reformave demokratizuese dhe integruese, përafrimin e legjislacionit dhe të politikave me standardet e BE-së si edhe perspektivën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor”, tha ajo.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë anëtarësimin në BE.

Të ruhet përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve dhe gjuha shqipe; Vendet tona gjenden në zemër të Korridorit VIII, një projekt strategjik dhe një mekanizëm bashkëpunimi, integrimi e sigurie në rajon e më gjerë dhe ne duhet të shfrytëzojmë këtë avantazh˝, u shpreh Spiropali gjatë takimit me kryeministrin Mickoski.

Kryeministri Hristijan Mickoski vlerësoi bashkëpunimin dypalësh me Shqipërinë dhe progresin drejt integrimit europian dhe u shpreh se të dy vendet tona e kanë merituar prej kohësh anëtarësimin në BE.

Nuk duhet të ngrihen pengesa artificiale në këtë proces sepse arritjet tona drejt standardeve europiane janë të dukshme dhe të prekshme.