Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar shkarkimin e drejtorit dhe Bordit Drejtues të monumentit kulturor “Makedonium” në Krushevë, përcjell TV21. Ky vendim vjen pas reagimeve të shumta në publik, pasi këngëtarit nga Kosova, Don Xhon, iu mundësua të xhironte spotin e këngës “Sexy mama” në këtë lokacion, për vetëm 500 euro.

“Me të vërtetë, ajo që ndodhi atje ishte diçka që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Do t’i kërkoj ministrit të Kulturës dhe Turizmit të shkarkojë drejtorin e atij institucioni së bashku me Bordin Drejtues, sepse institucionet e tilla nuk duhet të keqpërdoren për qëllime të tilla. I kërkoj falje qytetarëve për këtë lëshim dhe do të përpiqemi që të mos ndodhë më në të ardhmen. Prandaj, sot do të kërkoj që të shkarkohen si anëtarët e Bordit Drejtues, ashtu edhe drejtori i atij institucioni kulturor”, tha Mickoski.

-Drejtorët duhet të kenë kujdes kur japin me qira objektet dhe duhet të dinë se çfarë programesh do të zhvillohen dhe çfarë përmbajtjeje do të kenë, deklaroi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani për spotin e Don Xhonit në “Makedonium”.

Në një konferencë për media në qendrën e shtypit të Qeverisë, ministri Sulejmani tha se Ministria është në proces të mbledhjes së informacioneve për këtë rast.

“Unë si ministër i Kulturës dhe Turizmit, përkatësisht ne si Ministri, jemi përgjegjës për mbrojtjen e të gjithë artistëve dhe punonjësve të kulturës. Para nesh kemi një rast që është vërtet i ndjeshëm, por do të shohim me shërbimet juridike se si mund të veprojmë më tej ose nëse do të nevojitet ndonjë ndryshim ligjor, pasi në këtë moment ekziston e drejta ligjore për dhënien me qira, por drejtorët duhet të kenë kujdes kur japin objektet me qira, duhet të dinë se çfarë programesh do të zhvillohen dhe çfarë përmbajtjeje do të kenë. Problemi është i ri, xhirimet janë bërë më herët, ndërsa unë ende nuk kam informacione të detajuara dhe jemi në proces për ta zgjidhur problemin. Do të siguroj informacione shtesë dhe do të shohim se si do të veprojmë më tej”, tha Sulejmani.

Ndryshe, “Makedoniumi”, është trashëgimi kulturore e mbrojtur e shtetit.