Integrimi evropian i Serbisë dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën do të vazhdojnë, ka deklaruar Ilija Srdanoviq, bartësi i listës „Lista Studentore – Studentët Fitojnë”, e cila fitoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës në Serbi.

Në një intervistë për redaksinë serbe të Radio Evropës së Lirë, ai tha se do të bëhet gjithçka që është e mundur që qytetarët të informohen për atë që sjell anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE).

„Mbetemi në rrugën e integrimit evropian. Serbia u zotua për procesin e integrimit evropian që në vitin 2000, para 26 vjetësh. Por, ajo që mund të premtojmë me siguri është se nuk do ta bëjmë atë që bëri qeveria e mëparshme, përkatësisht që brenda 15 vjetësh ta ulim për 20 për qind mbështetjen e qytetarëve serbë për integrimin evropian. Ky është rezultati përfundimtar, bilanci i asaj që bëri qeveria e mëparshme.

Natyrisht, duke u bazuar në të njëjtat vlera qytetëruese – respektimin e të drejtave dhe barazisë, luftën kundër korrupsionit, institucione funksionale dhe lirinë e mediave – do ta harmonizojmë plotësisht politikën e brendshme të shtetit me kapitujt 23 dhe 24, të cilët janë pengesat kryesore për përparimin e mëtejshëm drejt anëtarësimit në BE”, tha ai.

„Vazhdimi i dialogut për Kosovën dhe Metohinë është pjesë thelbësore e planit studentor. E gjithë platforma për marrëdhëniet e brendshme dhe ndërkombëtare të Serbisë bazohet në respektimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë”, theksoi Srdanoviq.

Ai përsëriti thirrjen për të shmangur çdo formë revanshizmi në Serbi dhe vlerësoi se qeveria në largim e Gjuro Macutit është përgjegjëse për gjendjen aktuale të sigurisë. Ai paralajmëroi se në parlamentin e ri do të miratohet një ligj për lustracionin.

Srdanoviq ishte bartës i „Listës Studentore”, e formuar mbi bazën e vendimeve të kuvendeve të fakulteteve në Serbi. Strategjia e kësaj lëvizjeje, e cila doli nga protestat dyvjeçare kundër korrupsionit dhe për sundimin e ligjit, ishte krijimi i një organizimi pa lider.

I pyetur nëse do të pranonte të ishte kandidat i „Listës Studentore” për kryeministër, ai u përgjigj pozitivisht.

„Mund të themi këtë: do të zgjidhet kandidati për të cilin do të vlerësojmë bashkërisht se do të punojë më së miri në interes të qytetarëve të Serbisë”, tha Srdanoviq, duke shtuar se deputetët e „Listës Studentore” do të vendosin se kush do të jetë kandidati për kryeministër.

Srdanoviq deklaroi gjithashtu se të gjitha çështjet, përfshirë ato të politikës së jashtme, do të trajtohen përmes dialogut të hapur me qytetarët e Serbisë.

„Do të nisim dialogun dhe do t’u mundësojmë qytetarëve tanë të zgjedhin drejtimin që e konsiderojnë më të mirë për ta. Por ky dialog duhet të jetë i hapur dhe transparent, e jo të zhvillohet nga regjimi në mënyrën me të cilën jemi mësuar gjatë 15 deri në 20 viteve të fundit”, tha ai.