Kufizimet në sistemin satelitor Starlink, që kontrollohet nga kompania SpaceX e Elon Musk, po vazhdojnë të pengojnë operacionet ushtarake të Ukrainës, duke ndikuar në përdorimin e dronëve sulmues dhe atyre interceptues të mbrojtjes ajrore.
Sipas raportimeve, kufizimet e vendosura javën e kaluar kanë shkaktuar dështime në misione dhe humbje të konsiderueshme.
Edhe pse presidenti amerikan, Donald Trump, kishte deklaruar se qasja në sistem ishte rikthyer plotësisht, deklaratat e fundit nga pala ukrainase tregojnë se kufizimet ende nuk janë hequr.
Përfaqësuesi i Ukrainës në Uashington, Denys Sienik, konfirmoi se masat kufizuese ndaj sistemeve Starlink dhe Starshield vazhdojnë të jenë në fuqi.
“Çdo ditë ka rëndësi për Ukrainën, sepse çdo jetë ukrainase ka rëndësi”, deklaroi Sienik, duke theksuar se Kievi vazhdon të presë heqjen e kufizimeve, në mënyrë që forcat ukrainase të kenë kapacitetet e nevojshme për të shpëtuar jetë.
Çështja vjen pas raportimeve se Trump kishte kontaktuar Elon Musk për t’i kërkuar rikthimin e qasjes së Ukrainës në sistemin satelitor.
Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë është diskutuar gjatë kësaj bisede, ndërsa disa analistë kanë ngritur dyshime edhe për faktin nëse ajo ka ndodhur.
Ndërkohë, Ukraina vazhdon të kërkojë rikthimin e plotë të qasjes në Starlink, pasi kufizimet mund të ndikojnë drejtpërdrejt në aftësitë e saj për t’u mbrojtur nga sulmet ruse.
