Të paktën 27 persona kanë humbur jetën dhe 42 të tjerë janë plagosur pas një sulmi me dron rus në Ukrainë, i cili shkaktoi një zjarr të madh dhe shpërthime në një magazinë. Sulmi ndodhi në fshatin Myla, në rajonin e Kievit. Sipas autoriteteve lokale, mes të plagosurve janë edhe katër fëmijë. Sulmi shkaktoi një zjarr të përmasave të mëdha, i cili u përhap edhe në disa banesa private. Ekipet e emergjencës dhe të shpëtimit vijojnë punën në vendngjarje. Në një tjetër sulm rus me dron në qytetin Kerson, në jug të Ukrainës, një person humbi jetën. Rusia dhe Ukraina kanë intensifikuar sulmet me rreze të gjatë muajve të fundit, duke goditur veçanërisht objektet logjistike dhe të energjisë. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka kërkuar rritjen e sulmeve me rreze të gjatë ndaj objektivave në Rusi. Ai ka vendosur si synim që Ukraina të arrijë deri në 1,000 lëshime dronësh në ditë.

“Rusët kanë zgjedhur një taktikë të përshkallëzimit të terrorit: alarmet e vazhdueshme për sulme ajrore, njëri pas tjetrit. Objekte të zakonshme civile janë dëmtuar në rajonin e Kievit. Të gjitha masat tona kundërvepruese, pa përjashtim, tashmë po zbatohen dhe është thelbësore që të përshpejtojmë ndjeshëm prodhimin e interceptorëve të projektuar posaçërisht për të luftuar dronët Shahed, në mënyrë që sulmet tona në thellësi të territorit t’i japin Rusisë një ndjenjë më të madhe të përgjegjësisë për zgjedhjen e saj për të vazhduar këtë luftë”, deklaroi Volodymyr Zelenskyy, Presidenti i Ukrainës./Alsat.mk.

The post Sulm me dron rus në Ukrainë, 27 të vrarë dhe 42 të plagosur appeared first on Alsat.