Sofja zyrtare ka konfirmuar se nesër Ministrja e jashtme bullgare Velisllava Petrova-Çamova do të takohet me homologun e saj nga Maqedonia e Veriut Timço Mucunski, në kuadër të Samitit për Korridorin 8. Për momentin ende nuk dihet formati dhe mënyra e takimit, pasi në vetë notën diplomatike thuhet se ato do të përcaktohen në mënyrë plotësuese. Mesazhet e kryeministrit Mickoski janë se Maqedonia dhe Bullgaria vetëm përmes bisedimeve mund ta tejkalojnë mosmarrëveshjen dhe të arrihet zgjidhje që vendi sa më shpejt të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

“Do të shohim në çfarë formati dhe si do të duket ai takim, nëse do të jetë “pull aside”, nëse do të jetë takim bilateral në margjinat e Samitit për Korridorin 8, megjithatë ky është një aktivitet multilateral, të shohim se si do ta organizojë nikoqiri. Mesazhet tona janë të qarta se vetëm përmes dialogut mund të arrijmë deri te zgjidhja e kësaj gjendjeje në të cilën ndodhemi aktualisht, se ne jemi për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe duam sa më shpejt ta realizojmë qëllimin tonë strategjik për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, diçka që e kemi merituar shumë kohë më parë”, tha Mickoski.

Nga LSDM-ja thonë se nga takimi i nesërm nuk presin asgjë dhe madje thonë se bisedimet e paralajmëruara të dy ministrave nuk janë aspak të nevojshme, pasi të premten presidentja e Komisionit Evropian e konfirmoi identitetin dhe gjuhën maqedonase.

“Pse ka nevojë tani, pasi kjo është konfirmuar, të shkojmë në Sofje dhe të bisedojmë për kornizën negociuese? A nuk është kjo përpjekje që, në vend të evropianizimit, të bëhet bilateralizimi i procesit, a nuk është kjo përpjekje për të hapur dhe rinegociuar gjëra tashmë të dakorduara dhe të garantuara nga korniza negociuese? Nga takimi nuk presim asgjë produktive”, deklaroi Fani Karanfilova Panovska –LSDM.

Këto bisedime vijnë në një kohë kur Komisioni Evropian propozon të hiqet e drejta e vetos, në mënyrë që vendet anëtare të votojnë me shumicë të kualifikuar gjatë hapjes dhe mbylljes së kapitujve negociues për vendet kandidate. Mickoski vlerësoi se mesazhet e komisares evropiane për zgjerim, Marta Kos, nënkuptojnë konfirmim të keqpërdorimit të vetos nga disa vende anëtare, por edhe të asaj që ai ka theksuar se ndryshimet kushtetuese duhet të kenë efekt të shtyrë.

“Është e qartë se nga vendet anëtare është njohur ajo që disa prej vendeve anëtare brenda Bashkimit Evropian po bëjnë dhe po përpiqen që, me një manovër të tillë, t’u mundësohet kandidatëve të arrijnë në fazën për të qenë anëtarë në kuadër të Bashkimit Evropian dhe kjo është shumë e ngjashme me atë që ne themi kur bëhet fjalë për ndryshimin e Kushtetutës, që ai ndryshim praktikisht të bëhet i zbatueshëm në momentin kur ne t’i përfundojmë negociatat”, deklaroi Mickoski.

Përveç propozimit për heqjen e vetos, Marta Kos propozon edhe që vendet e reja anëtare të kenë një periudhë kalimtare prej 15 vitesh, gjatë së cilës mund të sanksionohen nëse shkelin standardet demokratike, sundimin e ligjit ose parimin e bashkëpunimit besnik me Unionin. Në rast të shkeljes, anëtarët e rinj mund të mbeten pa të drejtë vote ose pa një pjesë të fondeve evropiane.