Kjo ambulantë në fshatin Jazhincë të komunës së Jegunovcës është ndërtuar para 30 viteve nga vetë banorët dhe ka 3 dekada që pret mjek. Çdo herë para zgjedhjeve këtu kalojë të gjithë partitë, por edhe ministrat që u premtojnë mjek, po sa përfundojnë zgjedhjet banorët duhet të udhëtojnë në komunat tjera dhe në Tetovë për të marr shërbime mjekësore.
“Sa i përket ambulancës, edhe këtë që shihni ne vet banorët e kemi ndërtuar para tridhjetë vitesh me kontributin tonë. Kërkesë kemi bë shumë herë, kanë kaluar tre katër ministra me premtime shumë e asnjëri punë s`ka kry. Banorët në Tetovë në Vratnicë, në Tearcë, kush si mundet, dikush ka, dikush nuk ka kushte për rrugëtim. Plus tani popullata ka mbet e vjetër s’mundet vet. Ky objekt është me rrymë, me inventar, me krejt, vetëm mjek e kompjuter duhet por s`ka”, tha Nafi Bexheti, kryetar i Bashkësisë Lokale Jazhincë.
-Si nuk na duhet, shumë na duhet, mjek s’kemi, rreth 400 shtëpi kemi. Kemi pleq, e për një kontroll shkojmë në Tetovë në Vratnicë, e shihni vet si jemi, kemi nevojë për mjek, po duhet edhe rruga por s`na ndihmon askush shumë sende duhet këtu.
-Jazhinca ka shumë nevojë sepse banorët detyrohet të shkojnë ose në Vratnicë ose Tearcë, edhe injeksione nuk ka kush jep, 30 vite ambulancë nuk ka kush jep këtu, na kanë thënë do e sjellim, do e sjellin, gati 20 vite sa e kemi mbaruar ambulantë.
Mjek për këta banorë premtoi edhe ministri shëndetësisë Arben Taravari, por në një formë më moderne, përmes telemedicinës. Kjo do të thotë se në vend të mjekut në fshat të vihet një infermiere kujdestare dhe një kompjuter me internet për kontakt me mjekun, i cili do bëj ekzaminimin dhe këshillimin e infermieres se çfarë trajtimi duhet t’i jepet pacientit.
“Kemi idenë e zhvillimit të telemedicinës. Çka do të thotë kjo, jemi duke menduar ende s’kemi plan aksionar por po përgatitemi që në vendet rurale ku ka pak njerëz, do angazhojmë një motër atje dhe mjek në Tetovë e Shkup do ketë qendër me mjek të angazhuar që do japin shërbime mjekësore në distancë. Pa mund të bëhet kontroll në distancë, diçka që kërkon ekzaminim direkt prej mjekut do dërgohet vetura për ta marr pacientin. Ne kemi internet të mirë në Maqedoni, do vihet një ekran i mirë dhe do angazhohet një motër që do jetë në komunikim online me mjekun në Tetovë dhe në këtë mënyrë mund t’i zgjedhim problemet e mungesat e ambulancave në pjesët rurale”, pohoi Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.
Në Jazhincë ka rreth 400 shtëpi, ndërsa sipas banorëve, shkaku migrimit, në shtëpi kanë ngelur vetëm të moshuarit që nuk ka as kush t’i dërgojë deri tek mjeku në komunë tjetër apo në qytetin e Tetovës që është 30 kilometra larg.