Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, e ka kualifikuar të gabuar dhe të dëmshme “këmbënguljen e BE-së për t’i mbajtur pezull çështjet që lidhen me veriun”, teksa e ka konsideruar të rëndësishme që Kosova ta rishikojë qasjen me aleatët ndërkombëtarë. Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se dëgjimi i këshillave të aleatëve varet nga pesha e rëndësisë së gjërave por ka shtuar se Qeveria duhet të bëjë llogari që hapjen e urës ta bëjë pa shkaktuar pompozitet e trazira. E Augustin Palokaj, korrespodenti i KOHËS në Bruksel, ka vlerësuar se Kosova ka të drejtë që të ndërmarrë veprime që shkojnë në kundërshtim me këshillat e aleatëve, porse duhet të jetë e vetëdijshme për çmimin që duhet paguar
Hapa të kujdesshëm në funksion të synimit për hapjen e urës qendrore mbi Ibër në Mitrovicë i kanë kërkuar Qeverisë të shtunën njohës të çështjeve politike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, pas paralajmërimit nga Bashkimi Evropian (BE) se Kosova rrezikon që të mbetet vetëm dhe prapa po qe se nuk i dëgjon aleatët.
Tek e ka bërë këtë paralajmërim, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë të premten se kërkesa e bllokut evropian për diskutimin e çështjes së urës në Bruksel nuk ndërlidhet me marrëveshje të re, por me zbatimin e asaj të arritur më parë në kuadër të dialogut.
Nexhmedin Spahiu, analist politik, ka thënë se BE-ja duhet që fillimisht ta sqarojë këtë marrëveshje.
“Nuk e dimë se cila është marrëveshja, në radhë të parë. Ne e dimë që ka qenë marrëveshja për hapjen e urës dhe që ka pasur disa kushte që të ngushtohet ura, që të mbyllet për qarkullim pjesa në veri, në sheshin, rrugën kryesore në veri të Mitrovicës, por nuk e dimë se cilat kanë qenë kushtet e tjera, nëse ka pasur apo nuk ka pasur kushte të reja në negociata dhe çfarë ka ngelur peng nga pjesa e Kosovës, e cila nuk është realizuar. Nuk e dimë nëse ka një gjë të tillë, nëse BE-ja ka dokumente për këtë, ka procesverbale për këtë, do të duhej t’i bënte të qarta”, ka thënë Spahiu.
E njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, e ka kualifikuar të gabuar dhe të dëmshme “këmbënguljen e BE-së për t’i mbajtur pezull çështjet që lidhen me veriun”.
“Për fat të keq, Bashkim Evropian ka përqafuar një qëndrim mbështetës për status quo-në aktuale, e cila vetëm në dobi të qytetarëve nuk është. Këmbëngulja për të mbajtur pezull në mënyrë ripërtëritëse çështjet që lidhen me veriun e Kosovës, është jo vetëm e gabuar por edhe e dëmshme, në vetvete. Aq më shumë në kushtet kur bëhet fjalë për çështje të diskutuara…., sikurse është rasti i Urës së Ibrit. Gjithaq, problematike është, mendoj, edhe premisa e Bashkimit Evropian për ta trajtuar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një dialog i presupozuar strategjik dhe i nivelit të lartë, si një shportë ku mund të trajtohen gjithfarë çështjesh, qofshin ato edhe të rëndomta”, ka thënë ai.
Por Çipa e konsideron të rëndësishme që Kosova ta rishikojë qasjen me aleatët ndërkombëtarë.
“Megjithatë, izolimi diplomatik nuk është nga ato lloj kostosh që Kosova i përballon dot. Prandaj, ka nevojë të rishikohet qasja me disa nga partnerët ndërkombëtarë. Nga ky këndvështrim, një fitore strategjike do të mund të legjitimonte një tërheqje taktike, për shkak se kostot afatgjata nuk i justifikojnë dot përfitimet afatshkurtra. Kosova nuk duhet të bjerë në kurthin e status quosë, ku ka përfunduar dialogu”, ka thënë ai.
Augustin Palokaj, korrespodenti i KOHËS në Bruksel, ka theksuar se Kosova ka të drejtë që të ndërmarrë veprime që shkojnë në kundërshtim me këshillat e aleatëve, porse duhet të jetë e vetëdijshme për çmimin që duhet paguar.
“Paralajmërimet e BE-së se Kosova, me veprime unilaterale, duke mos përfillur këshillat e miqve, do të mbetet e vetme dhe prapa nuk janë diçka e re. Kjo është thënë edhe më parë dhe ka pasur pasoja, sepse Kosova është shumë prapa dhe është në një mënyrë e izoluar. Ka sanksione nga Bashkimi Evropian dhe është i vetmi vend i rajonit që është nën masa ndëshkuese të BE-së, të cilat BE-ja nuk i ka ndërmend t’i heqë”, ka thënë Palokaj. “Kështu që veprimet e Kosovës janë me vetëdije veprime që shkojnë në kundërshtim me këshillat e miqve të Kosovës, por kjo nuk do të thotë që miqtë kanë të drejtë e Kosova nuk ka të drejtë. Prapë Kosova është një vend i pavarur, i cili ka të drejtë të marrë veprime të veta, por në anën tjetër duhet të jetë i vetëdijshme edhe për çmimin që duhet paguar”.
Analistit Spahiu ka thënë se dëgjimi i këshillave të aleatëve varet nga pesha e rëndësisë së gjërave. Megjithatë ai ka theksuar se Qeveria duhet të bëjë llogari që hapjen e urës ta bëjë pa shkaktuar pompozitet e trazira.
“Varet se si e ekzekuton atë, sepse ka një skepsë në mesin e aleatëve se forcat e Vuçiqit, të cilat gjenden brenda komuniteti shqiptar, pra agjentët e shërbimit të inteligjencës serbe, do të organizojnë manifestime, festë për hapjen e Urës së Ibrit dhe do të shkojnë e do bëjnë në veri probleme, edhe kështu që një gjë të tillë Qeveria e Kosovës do të duhet të ia bëjë të qartë publikut se nuk do të lejojë kurrfarë manifestimi, nëse këtë e bën atëherë sigurisht se hapja e Urës së Ibrit do të shkojë në dëm të Kosovës edhe atëherë bie më mirë t’i dëgjojë aleatët sesa me e bë bërllok punën”, ka thënë Spahiu.
Qeveria ka njoftuar në fillim të gushtit për synimin që ta hapë edhe për automjete urën që e ndan qytetin e Mitrovicës në jugun e banuar me shqiptarë dhe në veriun me shumicë serbe.
Gjatë javës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë (REL) se ka rrezik të vërtetë se hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë. Krahas SHBA-së, veprimet e Kosovës janë kundërshtuar edhe nga BE-ja dhe nga vendet e QUINT-it, të cilat kanë kërkuar që për statusin e urës të diskutohet në dialogun e Brukselit.
Teksa ky synim u kundërshtua nga SHBA-ja, BE-ja dhe vendet e QUINT-it, Qeveria ka ndërmarrë disa veprime, përfshirë zhvillimin e një debati publik për shqetësimet eventuale të qytetarëve si dhe testimin e qëndrueshmërisë së urës për kalimin e automjeteve të rënda.
Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE-ja, palët janë pajtuar më 2014 që ura të hapet për qarkullim porse kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Presidentja Osmani dhe udhëheqësit shtetërorë në Kosovë kanë insistuar se ura duhet të hapet dhe se për këtë nuk duhet të diskutohet me Serbinë. Osmani ka thënë të enjten se hapja e urës duhet të bëhet në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë dhe në të janë të stacionuar ushtarët italianë të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR – bashkë me pjesëtarët e Policisë së Kosovës që ndodhen afër saj.