Statusin që para një viti e bëri në rrjetin social Facebook, Arben Taravari tha se ndryshoi fatin e shtetit të Maqedonisë. Taravari kujtoi një vjetorin e këtij statusi që siç tha, po vlen dhe shtoi se, edhe pse i gjendur në presion të lartë, vendosi të zgjidhë njerëzit.

“Si sot para një viti bëra një status që do të ndryshonte fatin e shtetit. Megjithëse i gjendur në presion të lartë, unë vendosa të zgjidhja Njerëzit!

Sot në përvjetorin e tij mund të them që Po Vlen”, tha Arben Taravari.

Një vit më parë, Taravari shpalosi qëndrimin e tij se Aleanca për Shqiptarët në zgjedhjet parlamentare do të garonte si opozitë pasi siç thoshte Taravari, qytetarët kërkojnë ndryshim.

“Qytetari po kërkon Ndryshim! Populli po kërkon një sistem politik të çliruar nga epidemia e korrupsionit, që është bërë frenuesi më i madh për mirëqenien dhe zhvillimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në cilësinë e kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, ftoj publikisht Kuvendin e partisë të më mbështesë në këtë rrugëtim dhe bashkë, t’i prijmë këtij procesi që unë e quaj Ndryshimi i Madh dhe i Shumëpritur!

Duke besuar pa lëkundje në bashkëpartiakët e mi dhe në vizionin tonë të përbashkët, kërkoj besimin e tyre që Aleanca për Shqiptarët të futet në garën zgjedhore me opozitën shqiptare, e bashkë më tej të bëjmë më të mirën për këtë vend”, pati shkruar Taravari.