Janë vërtetë sinjale pozitive për sulmin e Kombëtares, pavarësisht se një prej tyre prej kohësh nuk e vesh më fanellën “kuqezi”.

Taulant Seferi dhe Odise Roshi kanë shkëlqyer mbrëmjen e kësaj të premteje në Turqi, teksa kanë realizuar për skuadrat e tyre duke i dhënë tre pikë të vyera, njërës për mbijetesën në elitën e futbollit turk dhe tjetrës për ta mbajtur në garë për rikthimin në Superligë.

Kështu, Seferi gjeti rrjetën në transfertën e Hatayspor, duke shënuar golin e vetëm për skuadrën e tij, Bodrumspor. Anësori i Kombëtares shfrytëzoi një përgjumje të mbrojtjes kundërshtare në minutën e 27’-të, duke dërguar topin në rrjetë, për të shënuar golin e vetëm të sfidës.

Në krahun tjetër, Roshi shënoi golin e parë, në fitoren 2-0 që skuadra e tij, Erzurumspor regjistroi ndaj skuadrës së Erokspor në “shtëpi”, teksa pas një krosimi perfekt të shokut të tij të skuadrës dërgon topin në rrjetë me një goditje fantastike në minutën e 67’-të.

Për Taulant Seferin, ky ishte goli i parë për skuadrën e tij të re, në paraqitjen e parë si titullar, ndërsa për Roshin ky ishte goli i dytë me skuadrën e Kategorisë së Parë.