Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, konfirmoi se vendimi për emërtimin e rrugëve në Tetovë në vitin 2007 ka arritur në Qeveri dhe se PDSH-ja, në atë kohë në pushtet, ka pasur ndikim që qeveria të hesht. Sipas ligjit, heshtja e qeverisë nënkupton miratim të vendimit.
Ditë më parë, edhe ish-kryetari i Këshillit Komunal Resi Abdurahmani, konfirmoi për TV21 se në vitin 2007 Komuna e Tetovës ka dorëzuar kërkesë për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë.
RESI ABDURAHMANI – ISH-KRYETAR I KËSHILLIT TË TETOVËS-Është dërguar lista në Qeveri, është pritur afati ligjor më tepër se sa duhet. Sipas ligjit për vetëqeverisje lokale, më duket ka qenë një muaj apo dy, por është pritur dyfish më shumë. Nuk është kthyer përgjigje.
Zëvendëskryetari aktual i Komunës, Albi Qamili, tha se Komuna e Tetovës i është drejtuar Arkivit Shtetëror, por nga atje nuk kanë marrë përgjigje se ekziston një dokumentacion i tillë.
Ditë më parë, portali “Portalb” raportoi se i është drejtuar Qeverisë për të verifikuar nëse ka ndonjë kërkesë të tillë, por nga Qeveria kanë kthyer përgjigje se, pas një kontrolli të detajuar të dokumentacionit që ruhet në depon e Qeverisë, ka arritur të gjejë vetëm një kërkesë, e cila nuk ka të bëjë me çështjen e emrave të rrugëve, por me dëmet e shkaktuara nga reshjet në disa fshatra.
Përndryshe, Gjykata Kushtetuese më 17 qershor 2026 e shfuqizoi vendimin e Këshillit Komunal të Tetovës të vitit 2007 për emërtimin e sheshit dhe disa rrugëve, pasi konstatoi se nuk ekzistojnë dëshmi se komuna kishte kërkuar dhe marrë pëlqimin e nevojshëm nga Qeveria, siç kërkohet me ligj. Vendimi i Gjykatës erdhi pas nismës së Lidhjes së Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste, e cila kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të vitit 2007.
