Kriza e urisë dhe kequshqyerjes te fëmijët në Somali po përkeqësohet ndjeshëm pas shkurtimit të ndihmave ndërkombëtare. UNICEF ka paralajmëruar se rritja e rasteve të kequshqyerjes së rëndë po vendos në rrezik jetën e mijëra fëmijëve, në një vend që po përballet njëkohësisht me thatësirë të madhe, zhvendosje të popullsisë dhe mungesë të ushqimit dhe ujit.
Sipas UNICEF-it, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026 numri i fëmijëve të pranuar në qendrat shëndetësore me kequshqyerje akute të rëndë dhe komplikacione është rritur me 32 për qind. Për këtë vit, rreth 1.9 milionë fëmijë në Somali pritet të përballen me kequshqyerje.
Zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder, deklaroi se shkurtimet e ndihmave po detyrojnë qendrat shëndetësore dhe ato të ushqyerjes të mbyllen, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për familjet aksesin në shërbimet bazë. Më shumë se 200 qendra shëndetësore dhe ushqimore janë detyruar tashmë të mbyllen, ndërsa në skenarët më të rëndë të mungesës së financimit, deri në 618 qendra shëndetësore në të gjithë vendin mund të mbyllen.
“Ky është momenti i gabuar për t’u tërhequr”, paralajmëroi Elder, duke theksuar se shkurtimet e ndihmave po prekin jo vetëm shërbimet shëndetësore dhe ushqimore, por edhe furnizimin me ujë, arsimin dhe mbrojtjen e fëmijëve.
Somalia po përballet gjithashtu me një thatësirë të rëndë, e cila ka shkaktuar ngordhjen e bagëtive, ka dëmtuar të korrat dhe ka shkatërruar burimet e jetesës për shumë familje. Sipas vlerësimeve të organizatave humanitare, rreth 500 mijë njerëz janë zhvendosur për shkak të thatësirës vetëm nga janari deri në prill të këtij viti. Kjo i është shtuar një popullsie prej rreth 3.3 milionë somalezësh që tashmë janë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Rreth një e treta e popullsisë së Somalisë, e cila arrin në afërsisht 19 milionë banorë, po përballet me mungesa të rënda ushqimore. Situata është bërë edhe më e vështirë pasi financimi për trajtimin e kequshqyerjes akute në disa zona të vendit ka rënë me më shumë se 80 për qind gjatë këtij viti, sipas organizatës Mjekët pa Kufij (MSF).
Shkurtimet e ndihmave nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera perëndimore kanë shtuar presionin mbi sistemin humanitar. Somalia nuk u përfshi në një ndihmë globale të SHBA-ve prej 2 miliardë dollarësh për ndihmat humanitare këtë vit, për shkak të akuzave për devijim të ndihmave dhe korrupsionin.
Ndërkohë, thatësira ka bërë që aksesi në ujë të bëhet gjithnjë e më i vështirë. UNICEF raporton se çmimet e ujit në zonat rurale dhe ato të banuara nga komunitetet baritore janë rritur deri në katërfish, duke rënduar më tej situatën e familjeve që tashmë kanë të ardhura të kufizuara.
Kriza po ndikohet edhe nga rritja e kostove të karburantit dhe plehrave bujqësore, ndërsa zhvillimet klimatike mund ta përkeqësojnë më tej situatën. UNICEF paralajmëron se fenomeni El Niño, i cili pritet të jetë ndër më të fuqishmit e regjistruar në më shumë se një shekull, mund të sjellë përmbytje të mëdha dhe të shtojë rreziqet humanitare.
Në këtë situatë, afro një milion fëmijë nën moshën pesë vjeç, vajza adoleshente dhe gra rrezikojnë të humbasin aksesin në shërbimet jetike të ushqyerjes. Organizatat humanitare paralajmërojnë se pa financim të menjëhershëm, mbyllja e qendrave shëndetësore dhe ushqimore mund të përkeqësojë më tej krizën dhe të rrisë numrin e fëmijëve që përballen me kequshqyerje të rëndë dhe rrezik për jetën.
