Në rrjetin social Facebook, u publikuan informacionet se një thertore në Strumicë po derdhte gjak direkt në lumë përmes një gypi. Pas kësaj Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka kryer inspektim të jashtëzakonshëm ku konstatoi se subjekti vepron në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe në bazë të kësaj, operatori është dënuar me 2 mijë euro gjobë, ndërsa personi përgjegjës është dënuar me gjobë prej 400 euro.

“Shërbimet inspektuese të Agjencisë për Veterinari dhe Ushqim gjatë ditës së djeshme kanë kryer kontroll të jashtëzakonshme në një thertore në Strumicë pas publikimit të një video në rrjetet sociale, ku shihet se një thertore në Strumicë po derdhte gjak në lum perms një gypi. Nga mbikëqyrja konstatohet se operatori vepron në kundërshtim me dispozitat ligjore për asgjësimin e padëmshëm të nënprodukteve (neni 18 i Ligjit për nënproduktet shtazore – Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë nr. 08-3248/1, 14 qershor 2023).
Për veprën e kryer – asgjësimi dhe përdorimi i padëmshëm i materialeve të kategorisë 3 – nënprodukteve shtazore dhe produkteve që rrjedhin prej tyre, në përputhje me kategorizimin e nënprodukteve shtazore (neni 11 dhe 14 i ligjit), operatori është dënuar me gjobë prej 2 mijë euro në kundërvlerë denarë, dhe personi përgjegjës në personin juridik me 400 euro në kundërvlerë në denarë. Është urdhëruar zbatimi konsekuent i procedurave ligjore për asgjësimin e nënprodukteve shtazore të kategorisë 3 (gjak nga kafshët e therura në thertore që nuk shfaqin shenja sëmundjeje).
Gjaku si nënprodukt i therjes së kafshëve (nënprodukt i kategorisë 3), në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë këtë çështje, duhet të hidhet me ndarje paraprake dhe grumbullim në një vend të veçantë”, thotë AUV.