Puna e ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, do të jetë objekt i debatit parlamentar të caktuar për sot, pas interpelancës së paraqitur nga partia opozitare Levica.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, para dy ditësh njoftoi se debati është caktuar për të mërkurën dhe theksoi se deputetët do të diskutojnë mbi pretendimet e paraqitura në interpelancën e dorëzuar në maj të këtij viti.
Në interpelancë, nga Levica e akuzojnë Toshkovskin për, siç theksojnë, sabotim të hetimeve, drejtësi selektive, veprim joprofesional të policisë dhe konflikt interesi. Partia më herët kishte vlerësuar se Ministria e Punëve të Brendshme funksionon si një “polici private partiake”.
Pas dorëzimit të interpelancës muajin e kaluar, Toshkovski deklaroi publikisht se Levica, me interpelancën e tretë kundër tij, edhe një herë ka treguar se po bëhet aleati më i dobishëm i LSDM dhe BDI, parti kundër të cilave për vite me radhë kishte ndërtuar imazhin e alternativës dhe kishte premtuar politikë ndryshe, ndërsa në praktikë, sipas tij, i mbron ato përmes sulmeve ndaj kujtdo që përpiqet të vendosë rend, përgjegjësi dhe funksionim të sistemit.
“Kjo interpelancë e tretë nuk është shprehje e shqetësimit për shtetin, por një përpjekje e lirë politike për të bllokuar procesin e përballjes me krimin, korrupsionin dhe mosndëshkueshmërinë shumëvjeçare që e praktikuan partnerët e tyre të sotëm. Sepse kur sistemi më në fund fillon të funksionojë, më së shumti shqetësohen pikërisht ata që për vite me radhë kanë përfituar nga mosfunksionimi i tij”, vlerësoi Toshkovski muajin e kaluar në një postim në rrjetet sociale.
